Ministri aktual i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku ka proceduar në prokurori dhe polici disa kontrata për investime kapitale të cilat janë arrit nga paraardhësit e tij.
Ministri Çeku gjatë raportimit para Komisionit për mbikëqyrje financiare, theksoi se kanë bërë një skanim të gjendjes së të gjeturave për projektet kapitale të nënshkruara përmes memorandumeve nga qeveritë e kaluara, dhe sipas tij ka dyshime për shkelje të shumta.
Një sfidë tjetër sipas ministrit Çeku, është edhe numri i madh i memorandumeve të bashkëpunimit me komunat që janë arritur vite më parë, në të cilat ai tha se kanë mangësi buxhetore.
“Një nga sfidat kryesore në Ministri është sigurimi i informacionit të saktë dhe të plotë nga administrata, nga menaxherët e kontratave, nga organi mbikëqyrës dhe nga stafi tjetër të cilët nga një herë edhe pa qëllim nuk e sigurojnë dhe ofrojnë informatën e saktë në lidhje me një numër të madh të projekteve të investimeve kapitale në Ministrinë e Kulturës, Rinës dhe Sportit. Megjithatë ne kemi arrit një nivel të kënaqshëm të skanimit të këtyre kontratave, disa parregullsi shumë të mëdha që i kemi identifikuar ku ka dyshime për vepra penale i kemi proceduar në Njësinë e Krimeve Ekonomike të Policisë dhe në Prokurori. Si dhe do të veprojmë kështu sa herë gjatë këtij skanimi do të gjejmë elemente ku ka dyshime për vepra penale”, theksoi Çeku.
Në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike është shqyrtuar raporti i auditimit të performances “Menaxhimi i kontratave publike të ndërtimit”, ku u tha se nga 100 milionë euro të zotuara, rreth 60 milionë euro janë shpenzuar për investime kapitale arsimore, kulturore dhe sportive.
Për këtë kanë raportuar edhe zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, dhe zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra.
Zëvendësministri i Arsimit, Pupovci tha se një ndër të gjeturat e auditorit është devijimi i kontratës për ndërtimin e një shkolle në Rahovec që ka paraqitur, sipas tij probleme për financimin e këtij projekti pasi është rritur kostoja buxhetore për ndërtim.
“Vërejtja e para e auditorit ka të bëj me memorandumet e mirëkuptimit në mes të MASHT-it dhe të Ministrisë së Administratës Publike të vitit 2015. Është e vërtet se ndërrimi i lokacioneve për shkollën në Rahovec ka ndikuar në rritjen e kostos. Këtu më lejoni t’iu tregoi se teknikisht Ministria i ka disa projekte të gatshme të cilat përmbajnë atë ndërtimtari para masa-parallogari. Dhe në momentin që bëhet ndërrimi i lokacionit, atëherë kjo ndikon në rritjen e parametrave dhe ndikon në rritjen e kostos. Pikërisht kjo ka ndodhur në Rahovec”, tha Pupovci.
Ndërsa, kryetarja e Komisionit, Hykmete Bajrami nga radhët e LDK-së ngriti çështjen e ndërtimit të një shkolle të artit pamor në Gjilan, e cila sipas saj ka nis të ndërtohet para dhjetë viteve dhe nuk ka përfunduar ende.
“Unë e kam vizituar një shkollë para një viti, është shkolla e artit pamor në Gjilan ku ka pasur një memorandum të mirëkuptimit në mes të Ministrisë së Arsimit dhe ministrisë së Administratës Publike, ka filluar ndërtimi nëse nuk gaboj pesë ose dhjetë vite më parë. Është një ndërtesë e cila është duke u rrënuar ende pa u përfunduar. Për këtë operatori ekonomik ka dështuar, është larguar, nuk ka pasur mjete, pastaj ka nis punën një operator tjetër dhe sot as nuk ka mjete për përfundimin e asaj shkolle dhe as nuk ka institucion përgjegjës”, theksoi Bajrami.
Deputetja nga LVV, Jetmire Vrenezi anëtare e Komisionit tha se ka mangësi të shumta me kontratat që ishin në marrëveshje të memorandumi mirëkuptimit me komunat.
Vrenezi gjithashtu theksoi se përdorimi i objekteve pa pranim teknik është shqetësuese, derisa ngriti edhe çështjen e tejkalimit të buxhetit në dy projekte në kundërshtim të ligjit për ndarjet buxhetore.
“Dobësitë apo mangësitë të cilat i ka gjetur Zyrë Kombëtare e Auditimit, janë: shumë nga kontratat e audituara nën memorandumet e mirëkuptimit, të cilat nuk i kishin specifikuar në mënyrë të duhur rolet dhe përgjegjësitë e organizatave të përfshira në procesin e menaxhimit të kontratave të ndërtimit, dështimi i organizatave për të verifikuar gjendjen faktike në vendin e ndërtimit për të siguruar që vendi i ndërtimit ishte i përshtatshëm dhe i gatshëm për ndërtim. dobësi në procesin e emërimit të menaxherëve të kontratave, përpilimin e planit të menaxhimit të kontratës dhe aplikimin e dokumentacionit të nevojshëm për ndërtim”, theksoi Vrenezi.
Edhe anëtari i komisionit, Hajdar Beqa nga radhët e PDK-së theksoi se shfrytëzimi i objekteve pa pranim teknik paraqet një rrezik të lartë.
Deputeti Beqa derisa ka pyetur raportuesit në këtë Komision për planin e veprimit për zbatimin e rekomandimeve të auditorit, tha se memorandumet në disa raste mund të jenë të dobishme
“Është e pa kuptimtë për mua tek marrëveshjet e memorandumeve, unë e kam qenë në një periudhë të caktuar ku kam punuar edhe në institucione, kemi pasur memorandume tri paleshe, por që kanë qenë specifike. Prandaj, memorandumet mendoj se ndonjë herë janë të mira. Ka qenë një mes qeverisë, një ndërmarrjes publike dhe komunës, por që kanë qenë edhe Komisionet e përbashkëta për pranimin teknik të punës në fund, si dhe për mbikëqyrjen e punimeve”, u shpreh Beqa.
Ndërsa, vlera e projekteve ekzistuese vetëm në Ministrinë e Kulturës arrin shumën 27 milionë euro, që sipas ministrit Çeku nuk pritet të nisin projekte të reja.