Site icon PrishtinaPress

Çeku: Afër 1.800 monumente të Kosovës janë dëmtuar nga Serbia gjatë luftës – qëllimshëm

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka thënë se Kosova është duke përgatitur një raport në të cilin përmenden të gjitha dëmet që Serbia ia ka bërë Kosovës në trashëgiminë kulturore.

“Artefaktet janë vetëm një pjesë e dëmeve që Serbia na ka shkaktuar në trashëgiminë kulturore. Një komision shtetëror i ngritur me vendim të Qeverisë së Kosovës, në përbërje me ekspertë vendorë e ndërkombëtarë, ka punuar një kohë të gjatë dhe tashmë e kemi një raporti preliminar të dëmtimit të qëllimshëm të trashëgimisë kulturore nga forcat serbe gjatë viteve 98-99”, u shpreh ministri në ATV.

Çeku tha se janë afër “1.800 monumente të Kosovës që janë dëmtuar pjesërisht ose tërësisht nga forcat serbe në mënyrë të qëllimshme”.

“Janë mijëra artefakte që janë grabitur e nuk janë kthyer asnjëherë në vendin e tyre të origjinës”, tha tutje ai.

 

Ministri Çeku tha se Kosova ka edhe raport lidhur me këtë.

“Raporti ekziston, nuk është publikuar ende, por është edhe një argument i yni i fuqishëm në momentin kur ne do t’i kemi ato marrëveshjet e fundit për çështjet e dëmshpërblimit me Serbinë. Është bërë edhe një kalkulim i dëmit, jo vetëm material”, u shpreh tutje ministri.

 

Exit mobile version