Site icon PrishtinaPress

Çdo vit rreth 500 mijë raste të reja me kancerin e qafës së mitrës

Në botë rreth 500 mijë raste të reja në vit diagnostikohen me kancerin e qafës së mitrës dhe rreth 90% të vdekjeve që shkaktohen si pasojë e kësaj sëmundje, ndodhin kryesisht në shtetet me të ardhura të ulëta. Edhe në Kosovë numri i grave të prekura nga kanceri i qafës së mitrës është i lartë.

Kështu u tha në një tryezë diskutimi e cila u organizua me rastin e shënimit të Javës Evropiane të Kancerit të Qafës së Mitrës, nga Action for Mothers and Children dhe Koalicioni K10, e mbështetur nga Fondi për Popullsi i Kombeve të Bashkuara UNFPA.

Drejtor ekzekutiv në AMC, Vlorian Molliqaj, tha se duke e ditur që identifikimi i hershëm i kancerit të mitrës shpëton jetë, AMC e mbështetur nga zyra e UNFPA në Kosovë dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe institucione të tjera shëndetësore që nga viti 2015, kanë filluar programin e kancerit të qafës së mitrës në Prishtinë, ku falë këtij programi gratë mundë të bëjnë PAP testin falas.

“Në botë rreth 500 mijë raste të reja të cilat diagnostikohen nga kanceri i qafës së mitrës, rreth 90% të këtyre vdekjeve që shkaktohen si pasojë e kësaj sëmundje ndodhin në shtetet me të ardhura të ulëta. Edhe në Kosovë numri i grave të prekura nga kanceri i qafës së mitrës nuk është i ulët është një ndër sëmundjet më të zakonshme sa i përket kancerit të qafës së mitrës… Duke e ditur që identifikimi i hershëm i kancerit të mitrës shpëton jetë, ne si AMC te mbështetur nga zyra e UNFPA në Kosovë dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, Institutin e Patologjisë dhe institucione të tjera shëndetësore në vitin 2015 kemi filluar programin e kancerit të qafës së mitrës në Prishtinë, ku falë këtij programi gratë mundë të bëjnë PAP testet falas”, u shpreh Molliqaj

Sipas Molliqajt, dy gjëra që parandalojnë sëmundjen e kancerit të qafës së mitrës janë PAP testi dhe vaksina kundër HPV. Sipas tij vaksina kundër HPV-së duhet të futet në kalendarin e rregullt të imunizimit në Kosovë.

Udhëheqësja e Divizionit për Shëndetin e Nënës dhe Fëmijës, Merita Vuthaj, tha se sipas të dhënave që posedon vetëm në vitin 20188 nga kanceri i qafës së mitrës 311 mijë gra kanë vdekur në mbarë botën.

Sipas saj, nëse promovohet dhe zbatohet një program i mirë i Skriningut me siguri që pasojat do të jenë më të vogla.

“Pasojat në nivel të botës janë të mëdha, edhe ne vendin tonë edhe në botë, po i referohem të dhënave nga viti 2018-të, ku thuhet se sipas të dhënave globale rreth 570 mijë gra janë diagnostikuar me kancer të qafës së mitrës në mbarë botën, prej tyre 311 mijë e kam fjalën për vitin 2018 kanë vdekur nga kjo sëmundje, mirëpo nëse promovohet dhe zbatohet një program i mirë i Skriningut me siguri që pasojat do të jenë më të vogla dhe shpëtimi i jetës është evident…Prandaj synimi i kësaj tryeze është që t’i vetëdijësojmë popullatën për kancerin e qafës së mitrës, të njëjtën kohë të ndikojmë edhe te ofruesit e shërbimeve shëndetësore që të kenë informata të sakta dhe t’i ofrojnë pacientëve informata të tilla”, tha Vuthaj

Vuthaj iu bëri thirrje të gjitha grave që të bëjnë PAP testin, në mënyrë që diagnostifikimi të jetë i hershëm dhe të merren masat e nevojshme parandaluese.

Ajo shpreson që në tryezat e ardhshme që do të mbahen për kancerin e qafës së mitrës, të diskutohet për rezultate pozitive sa i përket kësaj sëmundje.

Edhe udhëheqësja e zyrës së UNFPA-së, Visare Mujko-Nimani, tha se kanceri i qafës së mitrës në shumicën e rasteve ndodh në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme ku nuk ka program të parandalimit të kancerit të qafës së mitrës apo ku nuk ka vaksinime të mirëfilltë.

“Në nivel global kanceri i qafës së mitrës në shumicën e rasteve ndodh në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme ku nuk ka program të parandalimit të kancerit të qafës së mitrës apo ku nuk ka vaksinime të mirëfilltë, në krahasim me Evropën Perëndimore numri i rasteve të reja të kancerit të qafës së mitrës dhe vdekjeve është deri në 10 herë më i lartë në rajonin e Evropës Lindore të Azisë Qendrore, duke përfshirë këtu për fat të keq edhe Kosovën. Mënyra më e mirë e parandalimit të kancerit të qafës së mitrës është vaksinimi po vaksinimi përdoret vetëm te vajzat e reja, kurse për gratë që janë në fazë riprodhuese kemi PAP testin”, u shpreh Nimani.

Sipas saj, kjo ngjarje tregon përkushtimin e përbashkët që kanë ndërmarrë shumë organizata për luftimin e kancerit të qafës së mitrës.

E krejt në fund u bë prezantimi i të arriturave të projektit “Skriningu i kancerit të qafës së mitrës” nga Hana Buçinca, zyrtare e projekteve në AMC.

Ndryshe, Java Evropiane e Parandalimit të Kancerit të Qafës së Mitrës është një fushatë sensibilizuese evropiane, e cila ka si qëllim të rrisë informimin dhe ndërgjegjësimin për parandalimin dhe kapjen e hershme të kancerit të qafës së mitrës te femrat.

Exit mobile version