Site icon PrishtinaPress

“Çdo muaj flasin për një Stuhi – Beogradi fantazon një hakmarrje të shqiptarëve ndaj serbëve të Kosovës”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Beogradi fantazion një “hakmarrje” të shqiptarëve ndaj serbëve në këtë shekull.

Gjatë një intervistë për gazetën kroate, “Veçernji List”, Kurti tha se është kundër hakmarrjes, duke shtuar se serbët janë qytetarë të Kosovës me nevoja njerëzore dhe qytetare.

Ai tha se serbët në Kosovë jetojnë më mirë sesa në Serbi, ndërsa kriminelët jetojnë më keq në Kosovë sesa në Serbi, këtë Kurti e tha duke përmendur edhe çështje të brendshme brenda Serbisë, si protestat kundër pushtetit.

E pushteti në Beogradin, Kurtin e ka etiketuar si i “ngjashëm” me Enver Hoxha, diktatorin shqiptar. Për këtë, kryeministri i Kosovës tha se pushteti ka etiketa të reja për të sepse zbehen shpejtë.

”Beogradi po zhvillon luftë hibride kundër Kosovës. Më thërrasin me emra të ndryshëm, sepse secila prej etiketave të tyre zbehet shpejt, kështu që duhet t’i zëvendësojnë. Çdo muaj lajmërojnë se muajin tjetër po fillon stuhi kundër serbëve në Kosovë. Nuk u vjen aspak turp që do të dalin gënjeshtarë sepse e dinë që askush nuk u çuditet më”, ka thënë Kurti.

“Ata shpeshherë dhe publikisht fantazojnë hakmarrjen e shqiptarëve ndaj serbëve në shekullin e 21-të, sepse e dinë shumë mirë se çfarë kanë bërë në Kosovë gjatë shekullit të 20-të. Ne duam dhe qëndrojmë për drejtësi pa hakmarrje dhe kundër hakmarrjes. Serbët janë qytetarë të Kosovës me të drejta dhe nevoja njerëzore dhe qytetare. Unë jam kryeministër i të gjithë atyre që dëshirojnë dhe duhet t’u shërbej të gjithëve pa dallim. Për ministër kam Nenad Rashiqin, politikanin më të njohur serb në Kosovë. Vetëm atë e urren më shumë se mua pushteti në Serbi. Beogradi dëshiron që ata të vendosin se kush është serb dhe kush jo. Për shembull veturave të serbëve nga Kosova të cilët i kanë kthyer targat e tyre në RKS në shumë raste janë djegur, por asnjë fjalë nga Beogradi për këtë. Pra, nga këndvështrimi i Beogradit, ka serbë të mirë dhe të këqij. Ata që kanë kartën e anëtarësimit të partisë në pushtet janë të mirë, ndërsa të gjithë të tjerët të këqij”, ka deklaruar ai.

Po ashtu, Kurti ka folur më shumë për presidentin e Serbisë, duke thënë se është autoritar dhe më shumë fuqi pushteti po sillet kah familja e tij sesa në kabinetin qeveritar.

Kjo pasi, Vuçiq sipas Kurtit do të dëshironte të bëhej mbret, për të kontrulluar gjithçka.

”Nga ana tjetër, ky është një konfrontim në mes të Republikës së re të Kosovës dhe një shteti që nominalisht është Republikë, por që në fakt do të dëshironte të kthehej në mbretëri. Jo vetëm demokracia, por edhe Republika po e shqetësojnë presidentin autoritar dhe ai do të donte të bëhej mbret. Nuk është rastësi që rrethi familjar i presidentit është bërë shumë më i rëndësishëm se hierarkia shtetërore dhe partia politike. Në veri të Kosovës kemi ditë të qeta dhe të mira kur nuk ka urdhër nga Beogradi për dhunë”, ka deklaruar Kurti. “Nga ana tjetër, në Serbi, në ekranet televizive, në reality shoë, e më pas në shkolla e rrugë, keni shumë dhunë dhe vrasje. Serbët në Kosovë jetojnë shumë më mirë se serbët në Serbi. Por kriminelët në Serbi jetojnë shumë më mirë sesa në Kosovë. E shihni që protestat e Vuçiqit në Kosovë janë të dhunshme, dhe protestat kundër Vuçiqit në Beograd janë paqësore. Jetën e serbëve në Kosovë ua vështirëson pikërisht Beogradi, i cili nuk i lejon ata të integrohen. Njerëzit që nuk integrohen nuk jetojnë më së miri, ndërsa ata që integrohen jetojnë më mirë”.

“Por Beogradi nuk dëshiron që ata të jetojnë më mirë, ai dëshiron të ushqejë disi tensionet dhe potencialin për destabilizimin. Unë jam kryeministër i të gjithë qytetarëve të Kosovës, përfshirë serbët, dhe besoj se politika duhet t’u shërbejë publikisht të gjithë qytetarëve pa diskriminim”, ka thënë Kurti.

Exit mobile version