I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, është deklaruar të dielën mbrëma për takimet e javës që shkoi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Lajçak ka thënë se si në Prishtinë ashtu edhe në Beograd ka diskutuar me Kurtin dhe Vuçiqin se si të avancohet normalizimi i marrëdhënieve dhe të arrihet progres në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit.
Ai tutje ka thënë se temë e diskutimit ishte edhe gjendja e sigurisë në veri të Kosovës.
“Ne nënvizuam me të dy liderët se ngjarjet e 24 shtatorit përbëjnë një përshkallëzim të qartë dhe të paprecedentë, i cili tregon gjithashtu se si de-përshkallëzimi ashtu edhe normalizimi janë tani më urgjente se kurrë. Së bashku me partnerët tanë, ne qëndrojmë të bashkuar në dënimin e sulmeve terroriste dhe theksojmë se të gjithë autorët duhet të dalin para drejtësisë, duke pritur bashkëpunim të plotë nga Serbia në këtë drejtim”, ka shkruar ai.
Sipas tij ngjarjet e 24 shtatorit nuk e ndryshojnë faktin që Kosova dhe Serbia kanë hyrë në Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit në fillim të këtij viti.
“Në diskutimet tona kemi përcjellë pritjen që Kosova dhe Serbia të përmbushin plotësisht obligimet e tyre në dialog. Çdo kusht apo vonesë është e papranueshme. Falënderoj partnerët e mi për këtë vizitë dhe së shpejti do të vazhdojmë diskutimet tona”, ka thënë ai.