Rumania është një nga pesë anëtaret e Bashkimit Evropian që vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës.
Por muajve të fundit ka përpjekje që të ndryshojë ky qëndrim. Është deputeti i parlamentit rumun, Catalin Tenita, që po lëviz gurë, që Bukureshti ta njohë Kosovën. Përveç një fjalimi të mbajtur në fillim të qershorit në përkrahje të Kosovës, deputeti i partisë Reper, synon që të thërrasë votimin e një rezolute.
“Fjalimi ishte vetëm fillimi. Kam në plan të bashkëpunoj me kolegët e mi deputetë për të propozuar dhe sjellë në votim një rezolutë për njohjen e Kosovës”, shprehet ai.
Derisa mosnjohjes e pavarësisë së Kosovës e quan padrejtësi, ai thotë se ka një sërë faktorësh të brendshëm që e pengojnë vendin e tij të lëvizë përpara. Për të, nëse në këtë drejtim do të lëvizte Serbia, do të shtrohej një rrugë që edhe rumunët do ta shqyrtonin pozicionin e tyre seriozisht.
Kjo njohje përveç nga Rumania, sipas ligjvënësit do të sillte stabilitet edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Vlerat e përbashkëta që kanë Kosova dhe Rumania – derisa përmend edhe shembuj të ngjashmërisë së gjuhëve të dyjave shteteve – sipas tij do të duhej të njiheshin edhe në rrafsh diplomatik.
INTERVISTA E PLOTË:
Në fillim të qershorit, ju mbajtët një fjalim në Parlamentin e Rumanisë në mbështetje të njohjes së pavarësisë së Kosovës. Që atëherë, a keni ndërmarrë ndonjë hap të mëtejshëm në këtë drejtim?
Catalin Tenita: Pas fjalimit tim në qershor në parlamentin rumun, kam vazhduar të avokoj për njohjen e pavarësisë së Kosovës, jo vetëm në diskutime parlamentare, por edhe në forume dhe ngjarje të ndryshme. Jam përpjekur t’i theksoj përfitimet e kësaj njohjeje si për Rumaninë ashtu edhe për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Pjesa e avokimit tim thekson gjithashtu rëndësinë e integrimit të Kosovës dhe të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, duke siguruar një Evropë të bashkuar, prosperuese dhe të sigurt.
Duke ofruar një perspektivë të bazuar, shpresoja të nxisja një diskutim konstruktiv midis të gjitha partive parlamentare. Trashëgimia e përbashkët ballkanike e jona na mëson se, me gjithë dallimet, ne jemi të lidhur nga fije të përbashkëta. Për shembull, ka fjalë në rumanisht dhe shqip që lënë të kuptohet për të kaluarën tonë të përbashkët. Shembuj të këtyre ngjashmërive gjuhësore përfshijnë ‘shigjetë’ në shqip dhe ‘săgeată’ në rumanisht, ‘shkallë’ dhe ‘scară’, ‘shëndét’ dhe ‘sănătate’, ‘short’ dhe ‘soartă’, dhe shumë të tjera si ‘shtrat’/’strat’, ‘ngushtë’/’îngust’, ‘trisht’/’trist’, ‘luftë’/’ luptă’, ‘luftëtar’/’luptător’, ‘kofshë’/’coapsă’, ‘arma’/’arma’, ‘pulpa’/’pulpa’, ‘qafa’/’ceafa’, ‘shurdh’/’surd’ , dhe ‘gardh’/’gard’.
Për më tepër, traditat dhe zakonet tona të përbashkëta, nga ceremonitë e dasmave deri te festat e korrjes, theksojnë gjithashtu lidhjet e rrënjosura thellë midis populli rumun dhe atij kosovar. Këto elemente të përbashkëta të trashëgimisë sonë nënvizojnë domosdoshmërinë e nxitjes së lidhjeve më të ngushta dhe mirëkuptimit të ndërsjellë.
Të dy kombet kanë pasur gjithashtu pjesën e përbashkët të sfidave gjatë historisë, duke u përballur me pushtimet, okupimet dhe duke u përpjekur për identitet dhe pavarësi. Kjo histori e përbashkët e qëndrueshmërisë, e këmbënguljes dhe e kërkimit të vazhdueshëm për liri ka formësuar ndërgjegjen tonë kolektive.
Me theksimin e këtyre lidhjeve të përbashkëta kulturore, gjuhësore dhe historike, shpresoj të nxis një mirëkuptim më të madh brenda parlamentit tonë dhe midis qytetarëve tanë për lidhjet e thella që Rumania ndan me Kosovën. Njohja e pavarësisë së Kosovës nuk është vetëm një vendim politik; është një njohje e së kaluarës sonë të përbashkët dhe një shpresë për një të ardhme bashkëpunuese.
Si reaguan grupi juaj parlamentar dhe partitë e tjera në parlament ndaj qëndrimit tuaj? A e mbështeti dikush idenë tuaj?
Catalin Tenita: Fjalimi im ngjalli një sërë reagimesh nga kolegët e mi deputetë. Disa e vlerësuan guximin dhe arsyetimin që paraqita, ndërsa të tjerë kishin rezerva ose qëndrime të ndryshme. Megjithatë, duke ofruar një perspektivë të bazuar mirë, shpresoja të nxisja një diskutim konstruktiv midis të gjitha partive parlamentare. Trashëgimia jonë e përbashkët ballkanike na mëson se, pavarësisht dallimeve tona, ne jemi të lidhur nga fijet e përbashkëta.
Rumania është ndër pesë vendet anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës. Pse po vazhdon ky qëndrim?
Catalin Tenita: Ka disa arsye historike, politike dhe gjeopolitike pse Rumania, së bashku me disa shtete të tjera anëtare të BE-së, nuk e kanë njohur ende Kosovën. Disa janë shqetësime të brendshme, ndërsa të tjerat ndikohen nga konteksti ndërkombëtar dhe rajonal. Megjithatë, në fjalën time kam theksuar se shumica e vendeve anëtare të BE-së tashmë e kanë njohur Kosovën dhe se Rumania duhet të rishqyrtojë pozicionin e saj në dritën e zhvillimeve rajonale dhe përparësive të mundshme.
E thatë se vendimi për të mos njohur Kosovën është i lidhur me çështje të brendshme të Rumanisë, shqetësime gjeopolitike. Për çfarë bëhet fjalë?
Vendimi i Rumanisë për të mos njohur Kosovën është i ndikuar nga një miks faktorësh të brendshëm dhe gjeopolitikë. Nga njëra anë, ka shqetësime lidhur me implikimet e mundshme të brendshme; nga ana tjetër, dinamika gjeopolitike dhe marrëdhëniet me shtetet e tjera ndikojnë në këtë vendim. Në fjalën time unë kam theksuar implikimet strategjike të njohjes së Kosovës, veçanërisht në kontekstin e rritjes së ndikimit të fuqive të jashtme në rajon, si Rusia dhe Kina.
Po ndërlidhem këtu. Shpesh dëgjojmë se njohja e Kosovës nga cilido shtet do të rriste sigurinë në Ballkan dhe Evropë. Sa pajtoheni me këtë këndvështrim?
Catalin Tenita: Absolutisht. Unë besoj fuqishëm se njohja e pavarësisë së Kosovës nga më shumë vende, përfshirë Rumaninë, do të forconte sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Kjo do të reduktonte konfliktet e mundshme në të ardhmen dhe do të kontribuonte në integrimin më të ngushtë të rajonit në strukturat evropiane. I gjithë kontinenti evropian do të përfitonte nga një klimë paqeje dhe bashkëpunimi në një zonë tradicionalisht të tensionuar.
Kosova ka më shumë se një dekadë që është në një proces dialogu me Serbinë. Nëse Serbia përparon drejt njohjes, cila do të mund të ishte lëvizja e Bukureshtit?
Catalin Tenita: Nëse Serbia do të shkonte përpara me njohjen e Kosovës, kjo do të ishte një pikë kthese në rajon dhe mund të ndikonte në vendimin e Rumanisë. Duke pasur parasysh përkushtimin e Rumanisë ndaj integrimeve evropiane dhe vlerave, një hap i tillë i Serbisë mund të përshpejtojë diskutimet dhe veprimet e Bukureshtit drejt njohjes së Kosovës.
Ndërsa keni mbajtur një fjalim në kuvend pro njohjes së Kosovës, keni bërë ndonjë hap të mëpastajmë? Për shembull keni menduar të propozoni një rezolutë për njohjen e Kosovës, siç është parë në vende të tjera dhe institucione ndërkombëtare?
Catalin Tenita: Fjalimi ishte vetëm fillimi. Kam në plan të bashkëpunoj me kolegët e mi deputetë për të propozuar dhe sjellë në votim një rezolutë për njohjen e Kosovës. Kam parë që në vende të tjera dhe në institucione ndërkombëtare, rezoluta të tilla kanë pasur një ndikim pozitiv dhe kanë përshpejtuar procesin e njohjes. Do të punoj aktivisht për të bindur sa më shumë kolegë për domosdoshmërinë dhe përfitimet e kësaj nisme.
Ky propozim juaji për njohjen e Kosovës a lidhet me zhvillimet në Ukrainë pas pushtimit të Rusisë, apo s’ka të bëjë asgjë me të?
Ndërsa ngjarjet në Ukrainë dhe pushtimi i saj nga Rusia theksojnë nevojën për një Evropë më të bashkuar dhe më të sigurt, motivimi im parësor për njohjen e Kosovës bazohet në argumentet e paraqitura në fjalimin tim. Këto përfshijnë përfitimet për Rumaninë, Ballkanin Perëndimor dhe të gjithë Bashkimin Evropian. Megjithatë, situata në Ukrainë shërben si një paralajmërim për rëndësinë e solidaritetit dhe veprimit kolektiv përballë kërcënimeve të jashtme.
A keni pasur ndonjë bashkëpunim me politikanë nga Kosova para apo pas fjalimit tuaj? A keni pranuar ndonjë ftesë për të vizituar Kosovën, apo jeni të hapur për një vizitë të tillë në të ardhmen?
Catalin Tenita: Po, kam pasur ndërveprim me politikanë nga Kosova para fjalimit tim. Këto ndërveprime u zhvilluan gjatë një aktiviteti lidhur me transparencën parlamentare, të organizuar nga Instituti Kombëtar Demokratik në Taipei. Kjo përvojë u pasua nga një vizitë parlamentare e nivelit të lartë në autoritetet tajvaneze. Gjatë këtyre takimeve pata rastin të kuptoj më mirë situatën në Kosovë dhe më kuptoi se mosnjohja e një shoqërie demokratike si Kosova është padrejtësi. Unë kam marrë ftesa për të vizituar Kosovën dhe jam i hapur për një vizitë të tillë në të ardhmen e afërt. Këto përvoja më shtynë që të avokoj në mënyrë më aktive për njohjen e Kosovës nga Rumania dhe ta sjell këtë çështje në ballë të diskutimeve parlamentare.