Site icon PrishtinaPress

“Çarten” qentë e Prishtinës – për 6 muaj tejkalojnë sulmet e tërë vitit të kaluar (VIDEO)

Numri është gati i njëjti, por jo edhe periudha kohore kur ngjanë rastet. Plotë 263 qytetarë të sulmuar nga qentë endacakë në kryeqytet u trajtuan në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare dhe njësitë e saj, vetëm për 6 muajt e parë të këtij viti.

E 256 ishin lajmëruar në këto institucione gjatë gjithë vitit të kaluar, raporton “Ju Flet Prishtina”.

Kryeshefi i Mjekëve në QKMF-në e Prishtinës, Valdet Hashani, bëri të ditur se të lënduarit marrin trajtimin e nevojshëm, veçse nuk janë të furnizuar edhe me vaksinën kundër tërbimit, e cila jepet në QKUK.

E për t’i bërë zgjidhje çështjes së qenve endacakë, Komuna e Prishtinës kishte marrë vendim të nisë adoptimi i tyre nga qytetarët, të cilët do të mbështeten financiarisht për këtë gjë me 50 euro për qen. Pas kalimit në Kuvend Komunal, projekti është në fazën përfundimtare të hartimit të kontratës që sqaron obligimet ligjore të palëve kontraktuese.

Grumbullimi i qenve parashihet të nisë me miratimin e rregullores, e bashkë me të edhe adoptimi – në fund të muajit.

“Në momentin që hartohet kontrata dhe të aprovohet do të fillojmë këtë proces, për më shumë kemi jashtëzakonisht shumë qytetarë të interesuar, që duan të adoptojnë qenë, si persona fizik edhe persona juridik. Ne jemi duke i përpiluar listat dhe jemi duke i marrë të dhënat e personave”, deklaroi Lulzim Fushtica, drejtor për Siguri dhe Emergjenca.

E aktivistët për të drejtat e kafshëve pohojnë se në grupin punues ku janë përfshirë, do të kërkojnë specifikimin e qartë të kritereve për adoptim të qenve.

“Po shpresojmë që Komuna ka me qenë shumë e kujdesshme me i filtru njerëzit që lajmërohen për adoptim, sepse shumë lehtë mund të abuzohen nga njerëzit që i marrin dhe i lënë pa kujdesje vetëm për me e marrë subvencionin”, tha Elza Ramadani nga Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve.

Ramadani thotë se duhet të punohet më shumë në vetëdijesimin e njerëzve dhe kështu do të mund të reduktohet burimi i problemit.

Exit mobile version