Gjykata Themelore në Ferizaj ka caktuar masën e paraburgimit ndaj të dy të pandehurve të dyshuar për tërheqjen e 95 mijë euro nga një bankë.
Ilmi Alili, ish-drejtori i Bankës Kombëtare Tregtare në Prishtinë dyshohet për veprat penale keqpërdorimi i besimit dhe bashkëkryerje mashtrimi, derisa shtetasi SH.B., është i dyshuar për veprat penale mashtrim në bashkëkryerje dhe veprën penale rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve.
“Gjykata thotë se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale të lartpërmendura, dhe ky dyshim i bazuar mbështet nga faktet dhe provat të cilat janë të bashkangjitura deri në këtë fazë. Gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit i Përgjithshëm kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër dy (2) të dyshuarve e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtëve i`u është caktuar masë e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji për secilin veç e veç, konform dispozitave ligjore të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale të përshkruara si më lartë”, thuhet në njoftim.
Më tej në njoftim thuhet se me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.