Site icon PrishtinaPress

Caktohet data kur do të vendoset për çështjen e veteranëve të rrejshëm

Seanca ku do të vendoset për kërkesën e prokurorisë për masë të përkohshme lidhur me veteranët e dyshuar si të rrejshëm pritet të mbahet në fund të janarit.Mirlinda Gashi, zëdhënësja e Gjykatës së Prishtinës konfirmoi për KALLXO.com se seanca do të mbahet më 28 janar.

Prokurori i Prokurorisë Speciale , Sylë Hoxha poashtu konfirmoi se prokuroria ka pranuar ftesë për seancën fillestare.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër 12 të pandehurve, për lëndën e njohur në opinion si “Veteranët” në drejtim të veprës penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Gjithashtu, në aktakuzë është propozuar që Gjykata të lëshojë masën për ndalimin e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteranë luftëtarë të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale.

Sipas pretendimeve të Prokurorisë Speciale nga provat e siguruara deri më tani është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej 68 milionë 153 mijë e 533 euro e 14 cent.

Gjykata e kishte kthyer aktakuzën mbrapa me 9 tetor 2018, duke kërkuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës përmirësimin e saj brenda 30 ditëve.

Prokuroria Speciale pasi nuk kishte arritur ta dorëzojë brenda afatit kohor të përcaktuar në aktvendim, kishte kërkuar nga gjykatësja Nushe Kuka- Mekaj edhe 30 ditë kohë shtesë.

Aktakuza ishte kthyer me qëllim që të qartësohet se si e kanë kryer veprën penale të akuzuarit: Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaga, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

Gjykata po ashtu ka kërkuar që të qartësohet edhe numri i personave të cilët po pretendohet se po përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme, andaj kërkon nga Prokuroria Speciale që ta sqarojë numrin e përfituesve se a janë 20.238 apo 15.115 persona që marrin pensione nga buxheti i Kosovës.

Ndryshim Gjykata ka kërkuar edhe në kërkesën e Prokurorisë për pezullimin e pagesës së pensioneve për 20 mijë e 238 veteranë luftëtarë deri në përfundim të procedurës penale dhe sipas gjykatëses së rastit Nushe Kuka-Mekaj do të ishte më mirë që çështja e tillë të trajtohet në ndonjë procedurë tjetër shkaku i mundësisë së zvarritjes deri në pakufi të këtij procesi gjyqësor.

“Duke qenë se është fjala për një numër tejet të madh të personave, që e tejkalon shifrën prej 20.999, është plotësisht e qartë se vendosja lidhur me kërkesën pasurore juridike krahas procedurës penale do ta devalvonte çështjen penale si çështje të dorës së dytë dhe do ta zvarriste procedurën deri në pakufi, prandaj konsideroj që çështja e tillë të trajtohet në ndonjë procedurë tjetër me iniciativë të prokurorit“, thuhet në vendimin e Gjykatës, raporton KALLXO.com.

Arsyeja e një zvarritjeje të tillë sipas Gjykatës është se nëse lejohet masa e sigurisë vendimi duhet t’u dërgohet 20.238 veteranëve, që janë të prekur nga kjo masë e që kanë të drejtë ankese, për të cilat duhet të vendos kolegji prej tre gjykatësve dhe duke e pasur parasysh numrin e madh të ankesave që do të paraqiteshin, procesi gjyqësor do të zvarritej deri në pakufi.

Exit mobile version