Takimi i radhës në nivel kryenegociatorësh në Bruksel do të zhvillohet më 17 dhjetor dhe kjo është konfirmuar edhe nga zyra e zv/kryeministrit Besnik Bislimi.
Emisari për dialogun, Miroslav Lajçak, në përmbledhjen e tij javore të punës njoftoi se takimi i ri në kuadër të procesit të normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi mbahet në dhjetor.
“Këto biseda janë kritike në formësimin e punës që po bën ekipi im ndërsa përgatitemi për takimin e ardhshëm të Kryenegociatorëve në dhjetor. Pres me padurim periudhën e ardhshme”, tha Lajçak.
Procesi për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit nuk ka nisur, ndonëse ka prodhuar një draft-statut të Asociacionit të komunave të banuara me shumicë serbe.