Të ngroh organizmin dhe shpirtin por mbi të gjitha efektet e tij janë fantastike për të mposhtur virozat, gripin dhe të ftohurën. Çaj i ngrohtë mali me gjalpë, ëmbëlsuar me pak mjaltë dhe pak lëng limoni për vlera më të forta është një ndër kurat më të forta që mbrojnë organizmin.
Një traditë e trashëguar brez pas brezi në gjithë Shqipërinë, çaji i malit përzihet me lëng limoni, mjaltë dhe pak gjalpë. Ky i fundit është një element që e bën shijen e çajit mjaft interesante dhe aspak të çuditshme, sidomos për ata që kanë probleme me kollën ose fytin.
Nëse ju pëlqen çaji i malit, atëherë përdoreni shpesh kështu, në mëngjes, por edhe në mbrëmje, transmeton AgroWeb.
Përzierja e tij me gjalpin rrit forcën vepruese të vlerave ushqyese. Gjalpi është tepër i pasur me vitamina dhe minerale. Ai përmban kalcium, fosfor, kalium, zink dhe magnez.
Receta e përgatitjes në shtëpi
Përbërësit
Një grusht me çaj mali
Një lugë çaji me mjaltë
Dy lugë gjellë me lëng limoni
Një lugë çaji me gjalpë të freskët
Një filxhan çaji me ujë
Përgatitja
Si fillim ziejmë ujin.
Në ujin e nxehtë hedhim çajin e malit, e lëmë të ziejë deri në 10 minuta.
E heqim nga zjarri dhe e hedhim në filxhan.
Më pas hedhim lugën e mjaltit dhe lëngun e limonit, në fund gjalpin e freskët.
Çaji pihet kur është i ngrohtë.
Çaji me fuqitë e një mali për shëndetin
Çaji i malit është aset që natyra i ka dhuruar njeriut për ta ndihmuar në mirëqenien e organizmit. Sipas të dhënave çaji i malit shqiptar ka efekte të fuqishme në forcimin e imunitetit. Ai ndikon për një tretje shumë të mirë të lehtë ndërsa lufton alergjitë e astmën, dhimbjet e kokën e sinositin. Çaji i malit ka një fuqi të jashtëzakonshme gjithashtu në trajtimin e sëmundjeve të të ftohtit. Gripi, dhimbjet e fytit, kolla apo dhimbjet e kraharorit trajtohen më së miri përmes çajit të ngrohtë të malit.
Vlerat e limonit dhe mjaltit
Jo më kot, cilësohet si fruti i jetëgjatësisë. Limoni është një pasuri vlerash të çmuara për shëndetin. Vetitë kuruese të tij janë të fuqishme falë vitaminave C dhe P, të cilat i bëjnë efektet shëruese të limonit të menjëhershme për organizmin e njeriut. Mjalti, është cilësuar ndër shekuj si nektari i perëndive, e vijon të jetë i tillë edhe sot. Mjalti ka një përdorim të gjerë dhe jo vetëm si ëmbëltues. Përpara shpikjes së antibiotikëve, mjalti përdorej gjerësisht për të trajtuar plagët apo djegiet e lëkurës. Ai është përdorur edhe për të zbutur kollën ose si maskë lëkure. Që në lashtësi, mjalti konsiderohej si një ushqim i rëndësishëm për atletët dhe njerëzit që kryenin aktivitete fizike.