Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi i ka dërguar një mesazh urimi ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, me rastin e shënimit të Ditës së Pavarësisë së SHBA-së.
Përmes këtij mesazhi, Bytyqi ka thënë se 4 Korriku është frymëzim për popujt e shtypur nga pushtues e diktatura që të ndjekin ëndrrën e lirisë.
Ky është urimi i tij:
Shkëlqesi e nderuar, zotëri Ambasador Delawie,
Zonja dhe zotërinj, personel i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kosovë,
Urime Dita e madhe e Pavarësisë së vendit Tuaj!
4 Korriku është frymëzim për popujt e shtypur nga pushtues e diktatura që të ndjekin ëndrrën e lirisë! Ashtu ishte edhe për popullin tonë, kur u ngritëm kundër tiranisë e gjenocidit të asaj kohe. Ndihma që Ju na dhatë në bërjen e lirisë, ashtu sikur se ne e mbajmë emblemë në kujtimin tonë, e po ashtu na bën ta ndjejmë e përjetojmë si diçka tonën të përbashkët, andaj ne urojmë me shumë shpirt e shumë zemër!
Ky komb falënderues të cilit ne i takojmë, nuk do të harrojë kurrë se liria jonë është një sfond i pasur amerikan dhe i botës së lirë të vlerave për lirinë popujve dhe demokracinë perëndimore.
I dashur Shkëlqesi, krahas urimit, ne duam të ju sigurojmë se duam që lirinë ta instalojmë në funksionalitetin institucional. Liria veç e deklaruar mbetet fatkeqësi e popujve! Urime juve Shkëlqesi, gjithë personelit tuaj dhe trupave tuaja ushtarake që janë kaq domethënëse për stabilitetin dhe sigurinë e vendit tonë me prezencën e tyre. Urime!