Site icon PrishtinaPress

Bytyqi flet në Bruksel për arsimin e Kosovës, thotë se vendi ka bërë hapa të rëndësishëm

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë i Kosovës, Shyqiri Bytyqi, ka prezantuar sot në Bruksel punën, angazhimin dhe objektivat e Kosovës në fushën e arsimit, trajnimit, hulumtimit dhe inovacionit.

Nëpërmjet një njoftimi, Bytyqi ka thënë se ka folur për “prioritetet dhe politikat kryesore të shkencës tonë kombëtare që ndiqen aktualisht, duke përfshirë edhe shkencat shoqërore dhe humane”.

Bytyqi ka thënë se Kosova ka bërë “hapa të rëndësishëm në fushën e arsimit, të ndihmuar edhe nga Zyra e BE-së në Kosovë, që na janë gjetur afër, e gjithashtu edhe ne në bashkëpunim dhe konsulencë të vazhdueshme me ta, kemi bërë një rrugëtim të mirë”.

Njoftimi i plotë i Bytyqit:

Sot, në ditën e parë të takimit të 7-të ministror, në kuadër të Platformës së Ballkanit Perëndimor për Arsim, Trajnim, Hulumtim dhe Inovacion, që po mbahet në Bruksel, pata nderin të prezantoj punën, angazhimin dhe objektivat e Kosovës në këto fusha tejet të rëndësishme për të ardhmen e vendit.

Gjatë ditës së sotme, temë kryesore e takimit ka qenë hulumtimi dhe inovacioni, ku dhe kemi diskutuar për prioritetet dhe politikat kryesore të shkencës tonë kombëtare që ndiqen aktualisht, duke përfshirë edhe shkencat shoqërore dhe humane.

Gjithashtu, diskutuam edhe rreth planifikimeve tona për promovimin e inovacionit, duke përfshirë bashkëpunimin akademik-industrinë, sipërmarrjen, specializimin e mençur dhe përafrimin e prioriteteve kërkimore dhe politikave të ekonomisë, në lidhje me prioritetet tona kombëtare të kërkimit.

Tashmë janë të pashmangshme edhe takimet e përbashkëta të ministrave të tri vendeve tona, Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë Veriore, ku në një takim tejet miqësor, bashkëbiseduam për të ardhmen e bashkëpunimit tonë në fushën e arsimit dhe jo vetëm.

Brukseli si adresa jonë e përbashkët dhe vlerat e tij të standardeve si objektiv i yni, janë dhe mbeten një dhe e vetme. Vendet tona u treguan mirënjohëse për çdo gjë që BE po bënë për ne.

Ne kemi bërë hapa të rëndësishëm në fushën e arsimit, të ndihmuar edhe nga Zyra e BE-së në Kosovë, që na janë gjetur afër, e gjithashtu edhe ne në bashkëpunim dhe konsulencë të vazhdueshme me ta, kemi bërë një rrugëtim të mirë.

Proceset harmonizuese e integruese janë një marrëdhënie e përbashkët e të gjithë faktorëve evropianë, andaj dhe ne Ballkani Perëndimor po bënë shumë në këtë drejtim. Kosova sot ka një vend të merituar mes shteteve pjesëmarrëse në këtë rrugëtim dhe ne kemi ecur konsiderueshëm.

Exit mobile version