2.2 C
Pristina
Saturday, November 16, 2024

Buy now

spot_img

Byro për Konfiskimin e Pasurisë – kërkohet të dëgjohet Komisioni i Venecias, procedurat zgjasin deri 8 vjet

Funksionalizimi i Byrosë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme po cilësohet se është në kundërshtim me Kushtetutën e vendit ani pse po shihet institucion tejet i nevojshëm, kjo pasi Komisioni i Venecias në këtë projektligj ka gjetur një sërë vërejtjesh.

Ndonëse ky propozim u mbrojt me insistim nga pozita Parlamenti i Kosovës ka dështuar ta votojë në lexim të parë Projektligjin për Byronë në mungesë të kuorumit.

Ish-drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsion, Hasan Preteni tha se konfiskimi i pasurisë është nevojë e kohës e se duhet të insistohet më shumë rreth kësaj.

Ndonëse sipas tij, këtë detyrë mund ta kryej Agjencia Kundër Korrupsion, duke i u fuqizuar ne te pjesa e deklarimit, kontrollit, prejardhjes e vërtetësisë së pasurisë.

“Duhet përshëndetur këtë iniciativë, është me të vërtetë nevojë e kohës, që të mendohet jo vetëm për dënimet, por edhe për konfiskimin e pasurisë. Në kuptimin tjetër mendoj që nuk duhet të formohet ndonjë institucion i ri se nuk përkon me faktorin kohë, deri sa të krijohen institucionet merren kohë deri sa të rekrutohet personeli, deri sa të zgjidhet drejtori shkon një kohë e gjatë. Më pastaj vetëm institucionet janë shpenzuese, nëse janë të gjithë zyrtarë nuk do të merren të gjithë me konfiskim, duhet me pas edhe staf mbështetës, personel administratë, financë, prokurim”.

“Mendimi im është që duhet të trajtohet, duhet të insistohet, të fuqizohet angazhimi drejt konfiskimit të pasurisë, por ideja ime është që këtë duhet ta bëjnë institucionet ekzistuese. Në rend të parë mundet Agjencia Kundër Korrupsionit, me ju shtuar një angazhim tjetër që të mos tirret me hetimet administrative, por të fuqizohet tek kjo pjesa e deklarimit kontrollin, prejardhje e pasurisë dhe vërtetësinë e prejardhjes së pasurisë. Vërtetësia më pastaj, secili nga ata zyrtarë që nuk munden ta vërtetojnë pasurinë që e kanë deklaruar, ajo pasuri të konfiskohet”.

Sipas Pretenit do të shkoj kohë e gjatë, kujt do t’i konfiskohet pasuria, duke shtuar se nëse ka vullnet dhe ekspertë mund të vërtetohet edhe pasuria që është fituar në mënyrë të paligjshme, pasi do të ketë gjurmë përshembull në transaksione bankare.

“Vetëm nëse ka vullnet, se të gjitha ato realizohen sepse len gjurmë. Secila pasuri që e kanë krijuar zyrtarët që e kanë deklaruar apo është pasuri e cila e kanë dikush po e ka në emër tjetër, me një hetim administrativ gjendet se nga kush, si janë ardhë ato. Në anën tjetër është shumë me rëndësi dhe shumë e mundshme që të gjithë ata që e kanë pasurinë se për të krijuar një banesë, për të fituar një banesë ju do të leni gjurmë. Paratë nuk shkojnë në dorë, kesh. Transaksionet bankare, përcillen të gjitha këto edhe gjinden. Vetëm duhet vullnet të mirë, ekspert edhe mund të lëvizet në këtë drejtim”.

Gzim Shala, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi tha se  edhe pse Komisioni i Venecias e sheh si legjitim krijimin e një mekanizmi të tillë, kanë gjetur vërejtje në shumë çështje e se ky projektligj është në kundërshtim me Kushtetutën e vendit dhe standardet e mira ndërkombëtare.

“Sa i përket opinionit të Komisionit të Venecias, duhet theksuar faktin që përkundër faktit që ky komision e sheh si legjitim krijimin e një mekanizmi të tillë të konfiskimit civil në Kosovë, ky komision gjen vërejtje pothuajse në secilën çështje të rëndësishme të këtij projektligji e që gjen që në rastin konkret ky projektligj është në kundërshtim me Kushtetutën e vendit dhe me standardet e mira ndërkombëtare. Janë një sërë çështjesh që komisioni gjen vërejtje. Duke filluar për shembull nga pavarësia e byrosë”.

Duke cituar Komisionin e Venecias për Byronë, Shala thotë se e njëjta i jep vërejtje nëse duhet të trajtohet si çështje nga ana e Agjencisë Kundër Korrupsion apo jo.

Teksa ka folur në tërësi për Projektligjin, Shala ka thënë se duke parë vërejtjet që i ka dhënë ky Komision, i njëjti Projektligj duhet të kthehet në pikën zero.

Rastet që do të trajtohen nga kjo Byro, nga IKD-ja thonë se do të marrë kohë 7 deri 8 vjet.

“Madje Komisioni i Venecias jep vërejtje në atë nëse duhet të krijohet një byro e re apo duhet që kjo çështje të trajtohet nga ana e Agjencisë Kundër Korrupsion. Sa i përket centralizimit të rasteve, IKD kishte gjetur se fillimisht nuk është logjike që të centralizohen të gjitha rastet në divizionin civil të Gjykatës Themelore në Prishtinë. Për shkak se ky divizion nuk është më i specializuar se sa divizionet e gjykatave të tjera dhe degëve të gjykatave të tjera. Që edhe konceptualisht është gabim, në këtë rast duhet ta kemi parasysh se kohëzgjatja e procedurave civile të cilat do të trajtohen rastet e byrosë ku do të trajtohen, sipas IKD mesatarja del të jetë 7-8 vite. Kohëzgjatja më e lartë e rasteve civile është pikërisht në divizionin civil të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe që i bie se do të krijoheshin dy pasoja”.

Duke e ditur rëndësinë dhe faktin që Komisioni i Venecias e sheh legjitime, Shala thotë se njëri nga rekomandimet mund të jetë themelimi i një divizioni të posaçëm i cili do të trajtonte këto raste, raporton EO.

“E para do të rëndohej edhe më tutje një divizion jashtëzakonisht problematik siç është ai civil në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe po ashtu do të prolongoheshin edhe vetë rastet e byrosë. E për këtë arsye njëra prej rekomandimeve mund të jetë edhe themelimi i një divizioni të posaçëm i cili do të trajtonte këto raste. Duhet ta kemi parasysh se përkundër faktit që Komisioni i Venecias e sheh si legjitime, krijimin e një mekanizmi të tillë të konfiskimit, prapëseprapë kjo është një çështje shumë e ndjeshme dhe duhet pasur jashtëzakonisht kujdes në drejtim të mbrojtjes së Kushtetutshmërisë dhe të drejtave të njeriut”.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img