Gazetari, Berat Buzhala, ka reaguar lidhur me raportimet se Task Forca Anti-Korrupsion në Policinë e Kosovës, aktualisht është duke hetuar së paku pesë ministra dhe një zëvendësministër të Qeverisë Kurti.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Buzhala ka bërë një krahasim ndërmjet rastit të avokatit, Besnik Berisha, dhe ministrave të Qeverisë.
“Prokuroret ish kane mire qe forcen qe e kane kallxu ndaj Besnik Berishes me e drejtu kah ministrat. Pese nen hetime, asnje arrestim. Besnikut i kane shku me 30 police te njesise speciale, e Hekuran Murati nuk po ju shkon as ne zyre. Ish kane mire Jetish Maloku me kallxu, qaj reagimi i prokuroreve ndaj Besnik Berishes, a erdh masiqe e takoi Albulenen ne zyre”, thuhet në postimin e tij.
Tutje ai shtroi pyetje se si ka mundësi që prokurorët janë bërë bashkë ta mbrojnë prokurorin e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Rasim Maloku.
“Qysh more bohen bashke prokuroret me e mbrojte Rasim Malokun. A do me thane kjo qe prokurorin edhe kur e shkele ligjin, nuk e heton kurrkush? Mos u tutni o burra, se ka me pase jete edhe mas Albin Kurtit. Mos u tutni prej Xhelalit, se vec nje dezerter i luftes eshte”, shkroi më tej Buzhala.
Ndryshe, avokati Berisha pak ditë më parë u lirua nga masa e ndalimit policor pasi u arrestua gjatë një aksioni të Prokurorisë Themelore në Ferizaj.
Ky arrestim u cilësua si arbitrar dhe i kundërligjshëm, teksa u tha se gjithçka ndodhi për motive politike.