2 C
Pristina
Tuesday, November 19, 2024

Buy now

spot_img

Buxheti u dëmtua mbi 770 mijë euro, i akuzuari thotë se kur shkoi në hetuesi e kuptoi se vlera e kontratës është tejkaluar për 1 milion euro

I akuzuari Besim Tahiri ka thënë se e ka kuptuar që vlera e përgjithshme e kontratës, e cila ishte 60 mijë euro, ka tejkaluar shumën mbi një milion euro kur është ftuar në prokurori ose polici. Sipas aktakuzës dëmi ndaj buxhetit të Kosovës është 772 mijë e 235 euro.

Një deklarim të tillë, i akuzuari Tahiri e ka dhënë gjatë dhënies mbrojtjes, të enjten, në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj të akuzuarve Besim Tahiri, Gëzim Osmani dhe Hajredin Hajra, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Tahiri në cilësinë e personit zyrtar dhe atë të U.D- Udhëheqës i Divizionit të Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit (MIT) dhe Osmani në cilësinë e personit zyrtar në MIT akuzohen se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.

Bashkë me ta, akuzohet edhe Hajredin Hajra se në cilësinë e drejtorit të biznesit “Eurokod” sh.p.k ka kryer veprën penale “Marrëveshjet për kufizimin e konkurrencës përmes ftesave për tender”.

Në pyetjen e prokurori Abazi, nëse i njëjti ka njohuri që njoftimi për dhënie të kontratës ka qenë 60 mijë euro ndërsa vlera e përgjithshme ka tejkaluar shumën mbi një milionë euro, i njëjti është përgjigjur se një rrethanë të tillë e ka kuptuar kur është ftuar në polici ose prokurori për intervistë.

“Kam njohuri tash, e kom kuptu realisht kur jam ftu në polici ose nga prokurori për intervistë”, ka deklaruar Tahiri.

I njëjti, gjithashtu ka thënë se përgjegjësia për menaxhimin e projektit me rastin e nënshkrimit të kontratës kalon tek menaxheri i emëruar me vendim të sekretarit.

“Po, me nënshkrimin e kontratës sipas dispozitave të nenit 81 të Ligjit për Prokurim Publik (LPP) kontrata e nënshkruar kalon në menaxhim te menaxheri i emëruar me vendim nga sekretari”, tha Tahiri.

Ai tutje ka thënë se nëse vërehet se komisioni mund t’i rekomandoj menaxherit të prokurimit që procedura të anulohet në rastet kur çmimet mund të jenë shumë të larta ose e kundërta.

“Planifikimi i procedurë bëhet nga njësia kërkuese e cila ka ekspert profesionale edhe në planifikimin buxhetor ose financiar, nëse e vërejmë që çmimi mund të jetë shumë i lartë ose shumë të ulëta e të cilat mund të bëhen në procesin e vlerësimit nga komisioni në fazën pas hapjes së ofertave, në fazën e vlerësimit të tyre nga komisioni për vlerësim i cili konstaton se mund të jenë çmime të fryra ose çmime a-normalisht të ulëta, komisioni mund ti rekomandoj menaxherit të prokurimit që e njëjta procedurë të anulohet”, ka deklaruar Tahiri.

I akuzuari Tahiri, duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të tij, avokatit Seant Elshani ka thënë se projekti ka qenë i  ndërlidhur me një projekt tjetër të trasesë së autostradës Prishtinë – Shkup, ku menaxheri së bashku me kontraktorin kanë hasur në disa mbetje mortore.

“Ky projekt ka qenë i ndërlidhur me projektin tjetër të ndërtimit të trasesë së autostradës Prishtinë – Shkup, ku në kuadër të projektit kryesor njësia përkuese, menaxheri së bashku me kontraktorin “Bechtel-ENKA” kanë hasë në disa mbetje mortore në trasenë e autostradës”, ka thënë ai.

Tutje, i njëjti ka thënë se me nënshkrimin e kontratës është emëruar edhe projekt-menaxheri.

“Pastaj, me nënshkrimin e kontratës me vendim të sekretarit të përgjithshëm është emëruar projekt- menaxheri i kontratës i cili ka vazhdu realizimin e saj”, ka deklaruar i akuzuari Tahiri.

Tahiri ka sqaruar se në njoftimin për kontratë, zyrtari I cili ka zhvilluar aktivitetin ka bërë një gabim tek afati i kontratës.

“Në njoftimi për kontratë për këtë aktivitet nga zyrtari i cili ka zhvilluar këtë aktivitet të prokurimit në këtë departament të prokurimit, është lëshuar një gabim, një lëshim tek afati i kontratës një vjet, e në fakt gabim i cili nuk është vërejtur si i tillë nga zyrtari i cili ka tenderua projektin”, tha i njëjti.

I njëjti, më pas ka thënë se çmimi njësi i kontratës bazë ka qenë 1 mijë e 711 euro, ndërsa çmimi në njësi i aneks kontratës ka qenë 6.89 euro, e që shprehur në përqindje është 0.4%.

I akuzuari Tahiri, duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të të akuzuarit Osmani, avokatit Mentor Neziri, ka thënë se nuk ka qenë në njohuri më herët dhe se është njoftuar përmes shkresave që Komisioni për Pranim Teknik ka nxjerrë një procesverbal në lidhje me punët e përfunduara.

“Jo, nuk kam qenë në njohuri, por tani përmes shkresave që i kam marr, jam në njohuri” ka deklaruar i akuzuari Tahiri

I njëjti ka thënë se menaxheri mund të hasë në probleme gjatë zbatimit të kontratës dhe të njëjtat duhet t’i raportojë në zyrën e prokurimit.

“Sipas dispozitave ligjore të LPP-së, vetë menaxheri gjatë realizimit mund të hasë në probleme ose pengesa faktike në zbatim të kontratës, e të cilat duhet ti raportojë për zyrën e prokurimit, nëse ka nevojë për punë shtesë ose nëse kontrata e tillë nuk mund të realizohet nga operatori ekonomik e që në këtë rast mund të vie në shkëputje të kontratës”, ka deklaruar Tahiri.

Tutje, i njëjti ka thënë se komisioni mund të rekomandojë refuzimin e kërkesës për punë shtesë dhe se në rastet kur tejkalohen kriteret ligjore një rekomandim i tillë mund të refuzohet.

“Sipas vendimit të sekretarit për formimin e komisionit për vlerësimin e kërkesës për punë shtesë, komision i cili mund të rekomandojë refuzimin e kërkesës, pra sipas rekomandimit të komisionit, përmes sekretarit rekomandimi bartet në zyrën e prokurimit dhe aty vendos prokurimi, sipas miratimit ose jo nga komisioni, që në këtë rast janë profesionit e të cilët dalin në terren për vlerësimin real ose jo të kërkesës për pozicione shtesë ose punë shtesë, Në rastet kur tejkalohen kriteret ligjore rekomandimi mund të refuzohet”, tha i njëjti.

Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të të akuzuarit Hajra, avokatit Alban Arifi, ai ka deklaruar se një ofertë dorëzohet si e vetme dhe në këtë rast ka qenë një bashkim i dy marrëveshjeve dhe se të dyja janë përgjegjëse veç e veç dhe bashkërisht në realizimin e kontratës.

“Për autoritetin ofertues dorëzohet ofertë e vetme që në këtë rast është konzurcion i dy kompanive e të cilat sipas marrëveshjes së tyre bëjnë, formojnë konzurciumin por për autoritetin kontraktues janë të dyja përgjegjës veç e veç dhe bashkërisht në realizimin e kontratës”, ka thënë i njëjti.

I pyetur nga trupi gjykues, i akuzuari Tahiri ka deklaruar se herën e parë nuk është pranuar asnjë ofertë për procedurën e prokurimit në fjalë dhe se kjo është arsyeja pse e njëjta është ri-tenderuar.

“Herën e parë nuk kemi pranuar asnjë ofertë të interesuar për këtë projekt dhe se i njëjti është ri-tenderuar ose është shpallë” deklaroi ai.

Tutje, ai shtoi se procedura është zhvilluar sipas kërkesës dhe se kënshkrimi I kontratëx dhe aneks kontratës është në përputhje të plotë me ligjin, ndërsa pjesa tjetër që ka të bëjë me menaxhimin e kontratës nuk i takon atij.

“Procedura është zhvillu sipas kërkesës në procedurë të hapur sipas kërkesës në vlerë të mesme dhe se sipas nënshkrimit të kontratës dhe aneks kontratës është në përputhje të plotë me dispozitat e LPP-së, kjo është pjesa që ka të bëjë me mu, pjesa tjetër ka të bëjë me menaxhimin e kontratës që s’më takon mua”, ka deklaruar i akuzuari Tahiri.

Në këtë seancë, gjatë dhënies së mbrojtjes së tij është dëgjuar edhe i akuzuari Osmani, i cili duke përgjigjur në pyetjet e avokatit Neziri ka deklaruar se pas përfundimit të procedurave të prokurimit, i njëjti është emëruar si menaxher i projektit.

“Pasi të kryhen procedurat e prokurimit, dikush prej inxhinierëve të Departamentit të Menaxhimit të Rrugëve është ardhë te drejtori, vendimi për emërimin tim si menaxher nga sekretari i përgjithshëm i ministrisë, për caktimin tim për implementimin e kontratës dislokimi i varrezave në trasenë e autostradës C2 dhe C3, Babush – Hani i Elezit vendimi është nxjerrë me datë 25.08.2016”, ka deklaruar i akuzuari Neziri.

Osmani tutje ka thënë se ditari ndërtimor është obligim i operatorit të plotësohet.

“Ditari ndërtimor është obligim i operatorit me mbush punët që ka punu brenda ditës, mirëpo në fund të formës së ditarit është pjesa ku nënshkruan menaxheri i kontratës dhe menaxheri i projektit, nga të dy palët përndryshe nuk vlen”, deklaroi i akuzuari Osmani.

I njëjti ka thënë se nuk ka pasur probleme si menaxher pasi që lokacionet kanë qenë të ditura.

“Unë si menaxher nuk kom pas probleme se lokacionet, janë ditë përmes Ramë Qupevës e që ato lokacione janë të identifikuara nga “Bechtel-ENKA”, të gjitha në këtë trase”, deklaroi Osmani.

I akuzuari Osmani gjithashtu ka deklaruar se i njëjti, pas përfundimit të punëve ka bërë kërkesën për caktimin e Komisionit për Pranimin Teknik dhe se nuk ka pasur ndonjë vërejte nga anëtarët e komisionit sa i përket procesverbalit mbi pranimin teknik.

Seanca e radhës për këtë çështje pritet të mbahet më 8 korrik.

Aktakuza ndaj Besim Tahirit, Gëzim Osmanit e Hajredin Hajrës është ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 31 maj 2021.

Besim Tahiri akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar, gjatë periudhës kohore nga 13 maji 2016 deri 10 tetor 2017, me qëllim të dëmtimit të buxhetit të Republikës së Kosovës, ka keqpërdorur pozitën zyrtare gjatë zhvillimit të prokurimit për aktivitetin e prokurimit “Dislokomi i varrezave nga traseja e Autostradës R6 segmenti C2 dhe C3”.

Sipas aktakuzës, duke vepruar në kundërshtim me kriteret e dosjes së tenderit dhe njoftimit për kontratë, ku ishte përcaktuar afati i kontratës një vit ndërsa ka nënshkruar kontratën me afat prej dy vite, pastaj ka lejuar tejkalimin e numrit të njësive nga 40 në 474 varreza dhe ka lejuar tejkalimin e kontratës nga 60,000.00 euro në 832,235.69, si dhe ka lidh aneks kontratën më 30 nëntor 2016 për këtë procedurë të prokurimit në emër të punëve shtesë, edhe pse ishte në kundërshtim me nenin 35, paragrafi 2.4.i LPP-ës, ku vlera e kësaj aneks kontrate është me vlerë shumëfishë më e lartë se që është e lejuar me Ligjin e Prokurimit Publik (neni 35, par 2.4), krejt kjo me qëllim për t’i shkaktuar dëme buxhetit të Republikës së Kosovës në shumën prej 772.235.69 euro.

Me këtë, Tahiri akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetin zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ku kryesi dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet.

Tutje, në dispozitivin e dytë të aktakuzës thuhet se i pandehuri Gëzim Osmani, në cilësinë e personit zyrtar, gjatë periudhës kohore 25 gusht 2016 e deri më 7 nëntor 2018, me qëllim të dëmtimit të buxhetit të Republikës së Kosovës, e ka keqpërdor pozitën zyrtar, në atë mënyrë që ka vepruar në kundërshtim me detyrat dhe përgjegjësit e tij të cilat ishin caktuar me vendimin me NR.Pro.35831 të 25 gusht 2016.

Në aktakuzë thuhet se Osmani, në cilësinë e menaxherit të projektit, ishte i obliguar që të sigurohej se operatori ekonomik i përmbushte të gjitha obligimet e performancës apo dërgesës në përputhje me termat dhe kushtet e kontratës, t’i dorëzojë raportet mbi progresin ose kompletimin e një kontrate siç kërkohet nga divizioni i prokurimit ose nga ZKA, të verifikoj sasitë e punëve të kryera, nënshkruaj ditarin e ndërtimit, librin e ndërtimit dhe situatat për pagesë.

Lidhur me këtë thuhet se i kishte shkaktuar dëm Ministrisë së Infrastrukturës dhe përfitime operatorit ekonomik “Eurokod”, me të cilin rast janë pranuar punët edhe pse nuk ishin zbatuar pozicionet e përcaktuara në kontratë, si dhe ka tejkaluar kompetencat e menaxherit të projektit duke kërkuar pozicione shtesë në emër të aneks kontratës, kurse pas nënshkrimit të aneks kontratës kishte lejuar që të bëhen hulumtime për varre në lokacione të cilat nuk ishin përcaktuar në kontratë, krejt kjo me qëllim për t’i shkaktuar dëme buxhetit të Republikës së Kosovës në shumën prej 772,235.69 euro.

Me këtë, Osmani akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetin zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ku kryesi dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet.

Hajredin Hajra akuzohet se në cilësinë e drejtorit të biznesit “Eurokod” SH.P.K., me qëllim të pranimit të ofertës nga autoriteti kontraktues për aktivitetin e prokurimit me titull të kontratës “Dislokimi i varrezave nga traseja e Autostradës R6, segmenti C 2 dhe C 3”, më 17 qershor 2016, në Prishtinë, në kundërshtim me kriteret e dosjes së tenderit dhe njoftimit për kontratë kishte dorëzuar ofertën në bazë të një marrëveshje të kundërligjshme.

Në aktakuzë thuhet se marrëveshja për themelimin e grupit të operatorëve ekonomik “Eurokod”, SH.P.K dhe “Engenieering Group” SH.P.K, ishte bërë që të plotësohen kriteret formale, më saktë të përdorej referenca e “Engenieering Group”, kurse në zbatim të kontratës ishte përjashtuar operatori ekonomik “Engenieering Group” nga i pandehuri, me të cilin rast nuk e kishte lejuar të marrë pjesë në implementim të kontratës me numër MI/16/071/221, të 20 korrik 2016, me qëllim që vetës t’i sjell dobi pasurore.

Me këtë, Hajra akuzohet se ka kryer veprën penale “Marrëveshjet për kufizimin e konkurrencës përmes ftesave për tender” nga neni 309, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, kryesi i së cilës dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë (5) vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img