Mungesa e hetimeve që çojnë në zgjidhjen e rasteve të dhunës, dënimet e ulëta nga Gjykatat, si dhe mosreagimi i duhur nga ana e Policisë, shpesh vlerësohen si disa nga faktorët që po ndikojnë në rritjen e numrit të rasteve të dhunës në familje. Gratë, si viktimat më të shpeshta, shumë shpesh frikësohen t’i denoncojnë bashkëshortët, çka i shtynë ata që ta përsërisin veprën e njëjtë.
Ndihmën e Policisë e ka kërkuar edhe një grua në Fushë Kosovë, e cila ka denoncuar bashkëshortin e saj për dhunë.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se viktima ka prezantuar edhe video-incizime si prova, ku dëshmohet dhuna ndaj saj. Bazuar në dëshminë e 36-vjeçares, ajo vazhdimisht është përballur me dhunën e bashkëshortit, por nuk e ka raportuar asnjëherë në Polici për shkak se është ndjerë e kërcënuar nga ai.
Viktima ka kërkuar që të pajiset me urdhërmbrojtës nga Gjykata, pasi nuk ndihet e sigurt në praninë e bashkëshortit.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar lidhur me rastin.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.