Site icon PrishtinaPress

Burri në Prishtinë kërcënon gruan pasi s’ia hapi derën të futej në banesë, përfundon në ndalim policor

Dhuna në familje vazhdon të mbetet një nga damkat më të mëdha të shoqërisë kosovare.

Çdo ditë në Polici raportohen raste të grave që përjetojnë dhunë në forma të ndryshme nga personat të cilët i kanë zgjedhur të ndajnë jetën me ta, por edhe nga anëtarët tjerë të familjes.

Ndihmën e Policisë e ka kërkuar gjatë ditës së djeshme edhe një grua në rrugën “Xheladin Hana” në Prishtinë, e cila e ka raportuar bashkëshortin e saj për kanosje.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije për Sinjalin se viktima ka deklaruar se i dyshuari e ka kërcënuar mbrëmë, pasi u kthye në banesë dhe ajo vendosi të mos ia hapte derën, si pasojë e shqetësimit që ia kishte krijuar.

Përballë kësaj situate, viktima ka kërkuar ndihmën e Policisë, para se të ndodhë diçka më e keqe.

Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku gjatë intervistimit e ka mohuar ta ketë kanosur gruan e tij.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit dhe inicimin e rastit si “Dhunë në familje”./PrishtinaPress/

Exit mobile version