Numri i rasteve të dhunës në vendin tonë është në rritje çdo ditë e më shumë. Çdo ditë gra që përjetojnë dhunë nga familjarët e tyre, kryesisht bashkëshortët, kërkojnë ndihmën e Policisë për të marrë mbrojtje dhe për të zgjidhur problemet.
Një rast i tillë ka ndodhur edhe të enjten në Lipjan, ku një burrë dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj gruas së tij, pas një mosmarrëveshje mes tyre.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur se gruaja e ka denoncuar bashkëshortin e saj, për të cilin thotë se e ka sulmuar fizikisht, duke i shkaktuar kështu lëndime trupore.
Si rezultat i denoncimit, një njësi policore ka arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor të dyshuarin, i cili është përballur me denoncimin kundër tij.
Të njëjtat burime thonë se i dyshuari e ka mohuar se ka ushtruar dhunë ndaj gruas, por ka thënë se kanë pasur konflikt pasi ajo kishte djegur disa gjësende, që i ngjalli atij frikë se mos po ia djeg edhe shtëpinë.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe i njëjti të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale “Dhuna në familje”.