Shpeshherë për çiftet kosovare telashet nuk marrin fund me shkurorëzim. Shumë nga ta vazhdojnë të kenë probleme me ish-partnerët e tyre, të cilët nuk arrijnë ta pranojnë ndarjen. Si pasojë e konflikteve të vazhdueshme janë gratë ato që kryesisht kërkojnë ndihmën e policisë.
Një rast i tillë ka ndodhur së fundmi në Fushë Kosovë, ku një grua ka kërkuar ndihmën e Policisë, si pasojë e kërcënimeve nga ish bashkëshorti i saj.
Burime brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se viktima ka raportuar se ish burri i saj e ka kanosur atë me fjalët “edhe dy ditë e sheh ti….”, duke i shkaktuar frikë e shqetësim.
Përballë kësaj situate, ajo e ka denoncuar rastin dhe ka kërkuar urdhër mbrojtës.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku ka dhënë deklaratë për rastin.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari të dërgohet në mbajtje për 48 orë.