Burrat homoseksualë do të lejohen të trajnohen si priftërinj në seminaret katolike romake, për sa kohë që ata respektojnë beqarinë, sipas udhëzimeve të reja të shpallura nga Konferenca e Peshkopëve Italianë (CIE).
Vendimi shënon një ndryshim nga pikëpamja e mbajtur më parë nga Papa Françesku se burrat homoseksualë nuk duhet të pranohen në seminare për shkak të rrezikut që ata të bëjnë një jetë të dyfishtë, shkruan The Guardian.
Sipas udhëzimeve, gjëja më e rëndësishme për priftërinjtë aspirues është të tregojnë “një orientim drejt jetës beqare”.
“Në procesin e formimit, kur i referohet prirjeve homoseksuale, është e përshtatshme të mos reduktohet aftësia dalluese vetëm në këtë aspekt”, tha të premten CIE, duke shtuar se “objektivi i trajnimit për priftëri në sferën emocionale-seksuale është aftësia [për të] mirëpritur dëlirësinë në beqari si dhuratë, për ta zgjedhur lirisht dhe për ta jetuar atë me përgjegjësi”.
Megjithatë, deklarata përsëriti se ndërsa kisha katolike “respekton thellësisht njerëzit në fjalë”, burrat homoseksualë që janë seksualisht aktivë nuk mund të pranohen në seminare ose në ndonjë urdhër tjetër të shenjtë.
Papa Françesku u detyrua të kërkonte falje në maj të vitit të kaluar për përdorimin e një fjale fyese gjatë një diskutimi me peshkopët për pranimin e homoseksualëve në seminare.
Kërkimfalja e rrallë nga Papa pasoi raportet në shtypin italian se papa kishte thënë se tashmë kishte shumë “frociaggine” në disa seminare. Fjala italiane përkthehet përafërsisht si “pederi” (në anglisht si ‘faggotness’). Në kërkimin e tij të faljes, Papa tha se ai “asnjëherë nuk kishte për qëllim të ofendonte apo të shprehej në terma homofobikë”.
Pas incidentit, gazeta Il Messaggero botoi një letër nga Lorenzo Michele Noè Caruso, një 22-vjeçar i cili tha se ishte përjashtuar nga një seminar për shkak se ishte homoseksual dhe përshkroi një kulturë të “klerikalizmit toksik dhe zgjedhor”. Papa thuhet se është përgjigjur, duke e ftuar të riun që të “shkojë përpara” me kërkimet e tij profesionale.
Që kur u zgjodh Papë në vitin 2013, Françesku ka kërkuar të adoptojë një ton më gjithëpërfshirës ndaj personave LGBTQ+ në deklaratat e tij publike, duke shkaktuar shumë pakënaqësi te shumë kardinalë konservatorë.
Menjëherë pasi u bë papë, ai tha në përgjigje të një pyetjeje për priftërinjtë homoseksualë kishte thënë: “Kush jam unë për të gjykuar?”.
Ai miratoi një vendim në dhjetor të vitit 2023 që lejonte priftërinjtë të bekonin çiftet e pamartuara dhe të të njëjtit seks në një ndryshim të rëndësishëm pozicioni për kishën katolike.