Site icon PrishtinaPress

Burgosja e deputetit Salianji, PD proteston sonte

Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike në Shqipëri, ka vendosur se protesta e radhës të mbahet pasditen e sotme në orën 18:00.

PD në reagimin e saj, ka ftuar shqiptarë, që siç thotë në një deklaratë, “të bëhemi të gjithë bashkë në Tiranë, për të reaguar kundër padrejtësive me autor të vetëm Edi Ramën. Mospajtimi me padrejtësinë është mision i çdo qytetari të ndershëm shqiptar. Mospajtimi me të keqen fillon nga Kryeministria dhe shtrihet atë ditë në të gjithë rrugët e Tiranës”.

DEKLARATA E PLOTË

Rendi kushtetues ka rënë dhe balanca mes pushteteve është asgjësuar. Në Shqipëri, një person i vetëm, Kryeministri, ka grumbulluar çdo pushtet në duart e tij. Ka asgjësuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme, përmes bllokimit prej 11 vjtësh të një Reforme Zgjedhore kuptimplotë, duke mos reflektuar asnjë prej Rekomandimeve të OSBE-ODIHR. Shkelja e barazisë së palëve në zgjedhje dhe mohimi i të drejtës për Qeveri asnjanëse Teknike për zgjedhjet e ardhshme, synojnë deformimin e vullnetit të qytetarëve dhe pengimin me forcë të rotacionit politik.

Edi Rama përdor Parlamentin, drejtësinë dhe mediat për të ruajtur pushtetin e tij personal dhe për të rrënuar ekonomikisht qytetarët shqiptarë. Maxhoranca në Parlament refuzon me votë të zbatojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese për dorëzimin e bashkëpunëtorëve të tij përpara drejtësisë.

Lideri i opozitës dhe Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha mbahet në arrest shtëpie antikushtetues prej gati një viti përmes një dosje të fabrikuar nga PS, pa fakte, pa dëshmitarë, duke e penguar me forcë dhe pa ligj aktivitetin e tij politik.

Eurodeputeti Fredi Beleri u zgjodh duke qenë në burg, pasi u arrestua dy ditë para zgjedhjeve, pas një fushate publike deniguese nga kryeministri dhe pas një fitorje të pritshme të tij si kryebashkiak. Ndaj tij nuk u paraqit asnjë provë dhe nuk u lejua të betohej pas fitores së zgjedhjeve, sepse kryeministri e sheh Jugun e Shqipërisë si një pronë private për t’u pasuruar përmes korrupsionit.

Këtë javë, nënkryetari i Grupit Parlamentar të PD, deputeti Ervin Salianji, u burgos në një proces gjyqësor politik, sepse denoncoi lidhjet e trafikantëve të drogës me qeverinë shqiptare, përkatësisht të vëllait të ministrit të brendshëm. Burgosja e një deputeti pa ligj dhe prova është mesazh politik për heshtjen e opozitës, asgjesimin e saj dhe ekzekutimin e lirisë së shprehjes.

Për këtë arsye, Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike: Ditën e hënë, datë 7 Tetor 2024, ora 18:00, fton qytetarët shqiptarë të bëhemi të gjithë bashkë në Tiranë, për të reaguar kundër padrejtësive me autor të vetëm Edi Ramën. Mospajtimi me padrejtësinë është mision i çdo qytetari të ndershëm shqiptar. Mospajtimi me të keqen fillon nga Kryeministria dhe shtrihet atë ditë në të gjithë rrugët e Tiranës.

Exit mobile version