Site icon PrishtinaPress

Burg dhe kthim i trefishtë i dymilionëshit, ja çfarë e pret Kadri Shalën nëse shpallet fajtor

Kadri Shala, pronar i firmës LDA Grop me bazë në Llapushnik të Drenasit, në llogarinë e së cilës janë transferuar mbi dy milionë euro të Thesarit të Shtetit, është dorëzuar dje në Polici. Ndaj tij sot, Gjykata Themelore në Prishtinë, ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji. Por, për cilat vepra dyshohet Shala dhe me sa vite burgim mund të dënohet?

Bazuar në njoftimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Shala dyshohet se bashkë me Labinot Grudën kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe autorizimit”, Shpëlarja e parave nga neni 302 të KPRK-së, lidhur me veprën penale të Pastrimit të parave nga neni 56 i Ligjit nr. 05/L-096 për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit, ndërlidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Nëse dyshimet ndaj tij vërtetohen, ai mund të dënohet edhe me burgim.

Sipas nenit 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, “personi zyrtar, i cili duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e tij ose nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër apo që t’i shkaktojë dëm personit tjetër ose që t’i shkelë të drejtat e personit tjetër, dënohet me burgim prej një (1) deri në tetë (8) vjet”.

Por, nëse përfitimi apo dëmi e tejkalon shumën prej pesëmijë (5000) euro, dënohet me gjobë dhe burgim prej tre (3) deri në dhjetë (10) vjet.

Ndërkohë, bazuar në Ligjin për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, Shala mund të dënohet me burgim deri në dhjetë vjet dhe me gjobë deri në tri herë më të madhe në vlerë të pasurisë, e cila është subjekt i veprës penale.

“Kushdo që, duke e ditur ose ka arsye për të ditur se pasuria e caktuar buron nga ndonjë formë e aktivitetit kriminal, pasuri kjo e cila në të vërtetë fitohet me vepër penale, apo kushdo që duke besuar se pasuria e caktuar fitohet nga ndonjë formë e aktivitetit kriminal bazuar në përfaqësimet e bëra si pjesë e një hetimi zbulues të zhvilluar në pajtim me Kapitullin IX të Kodit të procedurës penale të Kosovës, zhvillon veprimet e mëposhtme, kryen vepër penale të dënueshme me burgosje deri në dhjetë (10) vjet dhe me gjobë deri në tri (3) herë më të madhe në vlerë të pasurisë e cila është subjekt i veprës penale”, thuhet në Nenin 56 të këtij Ligji.

Ndryshe, më 20 tetor, punëtori i Thesarit, Labinot Gruda, u arrestua nën dyshimin se përmes katër transaksioneve ka transferuar saktësisht 2,077,995.90 euro nga buxheti i shtetit në llogarinë e kompanisë “LDA Group”.

Në llogarinë e “LDA Group” fillimisht ishin transferuar 622 mijë euro, herën e dytë 375 mijë, pastaj 330 mijë dhe për herë të fundit 750 mijë euro.

Hetimi për këtë vjedhje përfshin 40 njerëz, të cilët në forma të ndryshme dyshohet se janë bërë protagonistë të këtij skandali.

Skandali i vjedhjes së mbi dy milionë eurove nga buxheti i shtetit është planifikuar mbi një strategji që gjeti zbatim për 8 minuta, sipas dosjes së Prokurorisë Themelore të Prishtinës.

Në kërkesën për caktimin e paraburgimin ndaj të arrestuarit Labinot Gruda, Prokuroria ka treguar se në Ministrinë e Financave, Labinot Gruda, për 8 minuta kishte krijuar llogari fiktive që do të duhej të dukeshin si të ishin të punëtorëve të këtij dikasteri, e që do t’i mundësonin atij pastaj që kundërligjshëm t’i transferonte 2,077,995.90 euro në llogari të kompanisë “LDA Group”, pronë e Kadri dhe Valon Shalës.

Për këtë rast, në kërkim është edhe përfaqësuesi i autorizuar i “LDA Group”, Valon Shala.

Exit mobile version