-0.3 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Buy now

spot_img

“Burdushi” para gjykatës: Me hajmali e fall s’e kam kriju pasurinë

Në seancën e së hënës në Gjykatën e Apelit, Hysri Peqani, i njohur si “Burdushi”, tha se pasurinë e tij nuk e ka krijuar me hajmalia e fall, por me biznese me familjen e tij dhe se gjykata nuk mund të bazohet me qime, me flokë e me dhe.

Këto deklarime, Peqani i bëri para kolegjit të Gjykatës së Apelit, ku u shqyrtua ankesa e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSKR), e cila ka kërkuar nga Apeli dënim më të ashpër ndaj “Burdushit”, si dhe ajo e mbrojtjes, e cila ka kërkuar që rasti të kthehet në rigjykim ose i njëjti të lirohet nga të gjitha pikat e akuzës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Më 10 janar 2023, Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte dënuar “Burdushin” me dënim unik prej 4 vjet e 6 muaj burgim dhe 42 mijë euro gjobë, lidhur me akuzën për ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike, mashtrim, shpëlarje parash dhe armëmbajtje pa leje.

Ankesë kundër aktgjykimit të shkallës së parë, ka ushtruar edhe vetë i akuzuari Peqani, i cili tha se qëndron në tërësi pranë ankesës dhe po ashtu i ka përkrahur avokatët e tij.

“E nderuara Gjykatë e Apelit, e nderuara drejtësi, e dini shumë mirë që nga viti 2014, pastaj arrestimin tim në 2018, janë bërë shumë shkelje pa bazë, pa fakte. Unë me hajmali nuk e kam kriju pasurinë e me fall, e me filxhana. Pasurinë e kemi fitu e nderuara gjykatë me krejt familjen time, me babë e me vllazni që 70-80 vjet para luftës”, tha Peqani drejtuar Apelit.

Peqani tha se tërë pasurinë e tij e ka krijuar me bizneset që ka punuar bashkë me familjarët e tij ndër vite.

“Kemi punue me aktivitete tona, vëllai im i ndjeri ku prej presionit vdiq, kemi punu me sisteme alarma, kamera që ka punu për Gjykatë e Prokurori për mbajtjen e sigurimit të stacionit të policisë në Prishtinë dhe Fushë-Kosovë, kemi bërë riparime, e gjithë pasuria jem nuk u fitu me hajmalia e me falla, derisa isha në liri e nderuara gjykatë asnjë dëshmitar nuk e kam pas unë që m’ka akuzu në polici apo të paktën m’ka thirrë në telefon”, tha tutje i njëjti.

Ndërsa, shtoi se asnjëherë nuk ka shitur ilaqe farmaceutike, por vetëm gjëra shpirtërore.

“Duhet me pas fakultet të kryer, mantillin e bardhë për me shit ilaqe, unë kom shit sene shpirtërore, qysh munet me u bazu gjykata me kime e me flokë e me dhe, duhet m’i kuptu do gjana e nderuara gjykatë”, deklaroi Peqani.

Sipas tij, asnjë njeri në botë nuk është dënuar për një hajmali e një të fryme.

“Unë kom punu si krejt të tjerët, babë e babagjysh e stërgjysh, asnjë njeri në botë nuk u dënu për një të fryme, për një hajmali, puna jonë është krejt shpirtërore, edhe pse s’i kemi pranu në kushte dhe kodet e Kosovës”, ka thënë tutje ai.

Krejt në fund, ai ua drejtua gjykatës duke pyetur “Unë si emër që u bëra kinse publik, si komunitet i një pakice që i takoj, a veç për mua vlen ky ligj, a edhe për hoxhallarë që shkruajnë, që fryjën e që qesin falle?”.

Kundër këtij vendimi, ankesë ka ushtruar Prokuroria Speciale për shkak të vendimit mbi dënimin e cila po kërkon dëmin më të ashpër ndaj Peqanit.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img