Kryesuesi i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka zhvilluar sot në Shkup një takim me shefat e misioneve të OSBE-së në Kosovë, Serbi dhe në Shkup, ambasadorët Jan Bratu, Michael Davenport dhe Kilian Wall.
Në fokus të takimit, siç thuhet në një njoftim nga Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut, ishte situata në veri të Kosovës dhe marrëdhëniet mes dy shteteve.
Osmani para ambasadorëve të OSBE-së ka prezantuar planin 9-pikësh, i cili u bë për të ndihmuar në deeskalimin e situatës dhe për të kontribuuar në arritjen e paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm.
“Është inkurajuese të dëgjosh mendimet e tyre për perspektivat e mundshme të planit për de-përshkallëzimin e situatës që kam paraqitur si kryesues i OSBE-së. Udhërrëfyesi i ofruar inkurajon atmosferën e dialogut dhe bashkëpunimit”, tha Osmani në takim, thuhet në komunikatën e MPJ-së maqedonase.
Gjithashtu, Osmani ua ka prezantuar shefave të misioneve të OSBE-së në Kosovë, Serbi dhe Shkup edhe prioritetet e Presidencës së Maqedonisë së Veriut me OSBE-në me fokus Europën Juglindore. Këto prioritete, u tha se synojnë forcimin e besimit, luftën kundër korrupsionit dhe veprimin ndaj ndryshimeve klimatike.
“Pajtimi është i një rëndësie të veçantë si prioritet kyç, një hap përpara drejt arritjes së paqes së qëndrueshme dhe bashkëpunimit në rajon”, tha Osmani.