-5.7 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Buy now

spot_img

Bujar Ejupi shkarkohet jashtëligjshëm, pritet t’i nënshtrohet një operimi

Në ditën e parë të shfrytëzimit të një pushimi një-javor mjekësor, Bujar Ejupi është shkarkuar nga pozita.

Drejtori i Autoritetit të Aviacionit Civil është shkarkuar sot me vendim të Qeverisë së Kosovës.

Arsyetimin për përfundim të parakohshëm të mandatit të Ejupit para kabinetit qeveritar, e ka dhënë zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi.

“Mosaprovimi i raporteve vjetore të AAC-së nga Kuvendi i Kosovës, raportimi i shkeljeve profesionale të Ejupit nga ana e Bordit mbikëqyrës të AAC-së, raportimi me shumë gjetje i Autoritetit Mbikëqyrës të Islandës në emër të KFOR-it, raporti me 20 gjetje i ekspertëve austriakë si dhe një varg shkeljesh tjera, paraqesin bazë të mjaftueshme për përfundim të parakohshëm të mandatit të tij”, ka theksuar Durmishi.

Vendimi për shkarkimin e tij dyshohet të jetë në kundërshtim me Ligjin e Punës, raporton Paparaci. Sipas Ligjit të Punës, punonjësi nuk mund të shkarkohet në periudhën e shfrytëzimit të pushimit mjekësor.

Bujar Ejupi ka shkuar në pushim mjekësor nga dita e mërkurë e 23 gushtit, tregon një komunikim zyrtar i tij me ministrin e Infrastrukturës, Liburn Aliu.

Në këtë e-mail të datës 22 gusht, të cilin e ka siguruar Paparaci, Ejupi e njofton ministrin Aliu se ndodhet në pushim mjekësor për rreth një javë.

“Ju njoftoj se për shkak të gjendjes mjekësore, do të jem në pushim nga data 23.08.2023 deri 01.09.2023”, i shkruan Ejupi, ministrit. “Ju falënderoj për mirëkuptimin dhe ju lutem që në rast nevoje të menjëhershme të kontaktoni z. Kushtrim Musa dhe znj. Nora Bakalli”.

Paparaci, ka marrë vesh se Bujar Ejupi pritet t’i nënshtrohet një operimi gjatë periudhës së qëndrimit të tij në pushim mjekësor.

I telefonuar nga Paparaci të mërkurën, Ejupi e ka komentuar shkurt vendimin e qeverisë.

“Korrupsioni fitoi”, ka thënë shkurtimisht ai.

Megjithatë, vendimit për shkarkimin e Ejupit i është gëzuar Sindikata e punëtorëve të AAC-së, edhe pse ata e kanë quajtur vendim të vonuar.

“Vendimi vjen pas tre vjetësh me një numër të madh shkeljesh profesionale dhe keqmenaxhim të Bujar Ejupit të sinjalizuara nga Sindikata jonë të cilat janë vulosur edhe nga trupa ndërkombëtare që kanë vërtetuar se nën udhëheqjen e tij, AAC-ja ishte bërë pothuajse jofunksionale. Deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës dy vite radhazi nuk i miratuan Raportet vjetore të AAC. Ky është largimi i tretë nga detyra në fushën e aviacionit për Bujar Ejupin. Urojmë që Ejupi të mos ketë më mundësi t’i afrohet institucioneve publike e as të lejohet të ketë autoritet ndaj të tjerëve, për shkak të veprimeve të tij përndjekëse e diskriminuese të ushtruara ndaj zyrtarëve të AAC të vërtetuara nga Institucioni i Avokatit të Popullit”, thuhet në reagimin e Sindikatës pas vendimit për shkarkim të Ejupit.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img