Sonte në emisionin “Komiteti” – i drejtuar nga Berat Buzhala – prodhim i Gazetës Express, për RTV Dukagjinin, deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Shukri Buja, ka folur për kërkesën e tij dhe të disa prej anëtarëve të PDK’së për prishjen e koalicionit qeverisës me Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Ai ka thënë se po kërkon prishjen e këtij koalicioni për shkak se nuk po funksionojnë dikasteret që udhëhiqen nga LDK’ja, dhe se kjo parti nuk po arrin që t’i kalojë disa nga proceset më të rëndësishme shtetërore. Po ashtu, mënyrat të cilat po përdoren për krijimin e buxhetit, sipas Bujës janë të papranueshme nga partia e tij.
Sipas deputetit të PDK’së, prishja e koalicionit nuk është vetëm kërkesë e tij personale, por ai ka përmendur se brenda partisë ka anëtarë të tjerë që duan të shkojnë në zgjedhje, madje prononcim se vendi mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme ka bërë edhe kreu i PDK’së, Kadri Veseli.
Buja në emisionin “Komiteti” ka shtuar se nuk është korrekte që Qeveria të udhëhiqet nga Mustafa, i cili nuk kryeson listën e më të votuarit nga qytetarët e vendit.