2.2 C
Pristina
Saturday, November 16, 2024

Buy now

spot_img

Bugajski: Vuçiq e Putin po luajnë me kartën e Kosovës për kriza të reja në Ballkan

Anëtar i lartë në Fondacionin Jamestown në UashingtonJanusz Bugajski ka deklaruar se Rusia e sheh Ballkanin si një aset strategjik ku mund të minojë rolin e institucioneve perëndimore dhe të pretendojë se NATO ka dështuar të sigurojë stabilitet. 

Në një analizë për mediumin boshnjak Istraga.ba, Bugajski ka thënë se aleati kryesor i Vladimir Putin në rajon është presidenti serb Aleksandar Vuçiq me të cilin ai ka një marrëdhënie simbiotike.

“Moska ndihmon Beogradin në ndërtimin e “Botës serbe”, sipas së cilës të gjithë serbët duhet të jetojnë në një shtet të zgjeruar. Në këmbim, Serbia i mundëson Rusisë të zgjerojë shtrirjen e saj rajonale përmes marrëveshjeve energjetike, depërtimit të inteligjencës, bashkëpunimit ushtarak dhe dezinformimit. Në lëvizjet e fundit, Beogradi ka nënshkruar një marrëveshje të re për furnizimin me gaz me Gazprom të Rusisë dhe po transmeton sërish kanalet televizive propagandistike të Kremlinit RT dhe Sputnik, pavarësisht ndalimit të tyre në mbarë Evropën”, ka thënë Bugajski.

Ai ka theksuar se një kombinim i pamjaftueshmërisë së BE-së, mos vëmendja amerikane dhe rritja e tensioneve lokale, kanë fuqizuar qeverinë nacionaliste të Serbisë për të përshkallëzuar pretendimet ndaj territoreve fqinje. 

“Rajoni po përgatitet me mosmarrëveshje të pazgjidhura që ofrojnë një thesar mundësish për Moskën edhe pse po humbet luftën në Ukrainë”, thotë Bugajski. 

Vizita e fundit e ministrit të Brendshëm serb Aleksandar Vulin në Moskë sipas Bugajski tregon mbështetjen e vendosur të Beogradit për imperializmin rus në këmbim të ndihmës së Kremlinit për “të ngrirë” Kosovën dhe për të mbrojtur Serbinë në rast të një konfrontimi të drejtpërdrejtë me NATO-n. 

“Ndërsa mediat serbe lëshojnë dezinformata të vazhdueshme kundër Kosovës, Vuçiq po riciklon justifikimet që çuan në luftë dhe gjenocid në vitet 1990, kur ai shërbeu si ministër i informacionit i Millosheviqit. Nocioni se serbët janë të persekutuar në Kosovë supozohet të pasqyrojë gjithashtu pretendimet e prodhuara të Rusisë kundër Ukrainës”, thotë Bugajski. 

Ai ka theksuar se bisedimet e ndërmjetësuara nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës mund të arrijnë disa marrëveshje, si me marrëveshjen e fundit për lëvizjen e lirë, por pa një afat të caktuar për njohjen ndërshtetërore ato do të vazhdojnë pafundësisht. Bugajski shton se Vuçiq dhe Putin luajnë kartën e Kosovës për të mbledhur nacionalistët dhe për të krijuar mosmarrëveshje. 

“Beogradi dhe Moska llogaritin se nxitja e konfliktit në veri të Kosovës do t’i shpërqendrojë zyrtarët perëndimorë nga marrja e ndonjë vendimi të vështirë për njohjen reciproke nga frika e dhunës”, thotë ai. 

Moska gjithashtu bashkëpunon ngushtë me kreun e entitetit serb në Bosnje-Hercegovinë, Milorad Dodik, ambicia e deklaruar e të cilit është ndarja e Bosnjës dhe krijimi i një shteti tjetër serb. Moska i ofron atij forma të ndryshme të ndihmës ekonomike, ushtarake dhe propagandistike. Sanksionet e BE-së nuk kanë arritur ta pengojnë Dodikun, ndërsa ambiciet e nacionalistëve kroatë për të krijuar një entitet të tretë etnik në Bosnje e kanë ndihmuar gjithashtu atë dhe klientët e tij në Moskë. Në mënyrë paradoksale, lëvizjet për të minuar integritetin boshnjak janë ndihmuar nga Zyra e Përfaqësuesit të Lartë (OHR), zyrtarët e së cilës me sa duket nuk arrijnë të kuptojnë se konsolidimi i çifligjeve etnike në Bosnje përmes zgjedhjeve të pjerrëta është një recetë për konflikt të armatosur, thotë tutje Bugajski. 

Ai ka folur edhe për situatën në Malin e Zi, e cila po destabilizohet gjithashtu përmes një sulmi ndaj institucioneve të tij të pavarura nga partitë nacionaliste serbe të lidhura ngushtë me regjimin e Rusisë. 

“Jeta e shkurtër e qeverisë Dritan Abazoviq nuk është befasuese duke pasur parasysh gatishmërinë e saj për të minuar sovranitetin malazez duke nënshkruar marrëveshje të privilegjuara me Kishën Ortodokse Serbe – një organizatë që nuk e njeh shtetësinë malazeze. Për më tepër, pretendimet se qeveria po luftonte unazën e korrupsionit është e zbrazët dhe hipokrite, kur aleatët e saj më të ngushtë kanë qenë partitë dhe liderët fetarë të korruptuar nga Moska dhe në bashkëpunim me zyrtarët serbë. Një hetim i lidhjeve të paligjshme ruse të secilit lojtar të madh politik do të ishte një shkak i denjë për gazetarët dhe OJQ-të malazeze, si dhe për të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit”, ka thënë Bugajski. 

Bugajski në analizën e tij thotë se Shqipëria gjithashtu mund të tërhiqet në një konflikt rajonal përmes subversionit rus. Ai kujton se depërtimi i fundit i objekteve ushtarake shqiptare dhe sulmet ndaj tre ushtarëve shqiptarë është një provokim i qartë për të trazuar vendin dhe për të krijuar më shumë probleme për NATO-n. 

“Sulmi i bazës kishte për qëllim të nxiste konflikte midis qeverisë dhe opozitës dhe të largonte vëmendjen nga fushatat irredentiste të Serbisë. Mbështetja e Tiranës për nismën e Ballkanit të Hapur, një projekt gjeostrategjik i krijuar për të rritur rolin rajonal të Serbisë dhe depërtimin ekonomik të Moskës, nuk do të sigurojë imunitetin e Shqipërisë nga konflikti”, pohon Bugajski.

 Ai ka theksuar se BE ka zvarritur bisedimet e pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, ndërkohë që anëtarësimi për Bosnjën dhe Kosovën është një perspektivë e largët. Bugajski është treguar kritik edhe për administratën e presidentit Joe Biden, e cila sipas tij, po e po lejon gjithashtu Rusinë të depërtojë në rajon duke pranuar pohimet e Vuçiq se ai është properëndimor dhe nuk dëshiron të largojë mbështetësit e tij duke sanksionuar Rusinë.

 “Vlen të kujtohet se si Uashingtoni fillimisht u mashtrua nga Sllobodan Millosheviq kur ai pretendoi se ishte një garantues i paqes dhe integritetit të Jugosllavisë në fillim të viteve 1990. Koha e balancimit ka mbaruar ose Serbia është një shtet evropian ose është në linjë me një Rusi perandorake që kërkon të shpërbëjë botën perëndimore”, thotë Bugajski, shkruan kp.

Për të shmangur një zjarr të ri, objektivat e politikave agresive të Serbisë, Bugajski thotë BosnjeHercegovina dhe Kosova kanë nevojë për anëtarësim në NATO dhe se forcat properëndimore në Mal të Zi kanë nevojë për mbështetje më të fortë që do të anashkalonte nacionalistët pro-Moskë të promovuar nga Vuçiq. 

“Pa një udhërrëfyes të qartë për të garantuar sigurinë rajonale, Uashingtoni dhe Brukseli do ta gjejnë veten duke u përpjekur të shuajnë më shumë zjarre në vend që të çarmatosin zjarrvënësit”, ka përfunduar Bugajski.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img