Site icon PrishtinaPress

Buffon e harron Messin dhe Ronaldon, zgjedh një tjetër lojtar për Topin e Artë

Gianluigi Buffon është tashmë 40 vjeç, por kalimi nga Juventusi te PSG ka konfirmuar se portieri legjendar nuk ka ndërmend të dalë në pension dhe ndërkohë rendimenti i tij mbetet i shkëlqyer.

Në një intervistë për emisionin Tout le Sport në France 3, kampioni i botës në vitin 2006 ka folur ndër të tjera edhe për Topin e Artë, ku i është kërkuar një mendim për fituesin e mundshëm, duke parë se këtë vit debati është më i ndezur se kurrë në dekadën e fundit, pasi për herë të parë mund të thyhet hegjemonia Ronaldo-Messi.

Buffon del hapur në mbështetje të shokut të skuadrës Kylian Mbappe, i cili në vitin 2018 ka vendosur rekorde e ka qenë vendimtar edhe në triumfin e Francës në Kupën e Botës.

“Duke marrë parasysh cilësitë e tij dhe çfarë tregon ai në fushë, duke qenë vendimtar edhe në Kupën e Botës, mendoj se po, e meriton Topin e Artë. Nuk e them dot të kundërtën. Në Itali ai krahasohet me emra të mëdhenj të së shkuarës, si Baggio, Del Piero dhe Totti. Është një fenomen dhe nëse vijon në këtë rrugë, duke ruajtur entuziazmin dhe mban këtë sjellje, mund të zgjatë për shumë kohë”, përcjell telesport.

Ndërkaq, në një intervistë për Gazzetta dello Sport, Buffon ka folur edhe për lamtumirën nga Juventusi: “E programuam së bashku, rrethi u mbyll në mënyrë perfekte dhe nuk kam pengje. Me PSG-në nuk do doja të kisha përballë në një finale Championsi Juventusin, sepse nuk do doja që gëzimi im i mundshëm të koincidonte me trishtimin e ish-shokëve të mi. Në Paris fitova rolin që doja, duke treguar që jam ende gati. Që në javën e parë të gjithë e kuptuan se nuk erdhi një plakush në pension, por dikush që donte të ishte i rëndësishëm dhe të ndihmonte ekipin të rritej”.

Dy fjalë edhe për kombëtaren italiane: “U ktheva për dy ndeshje miqësore pas një telefonate me Di Biagio-n, por u thanë gjëra të turpshme për mua, që isha një i mbaruar, një plak që kapej mbas kolltukut. Atëherë, për krenari dhe dinjitet, vendosa të mënjanohem. Mancini më ka telefonuar, por nuk ka shans të kthehem në kombëtare, edhe për faktin se ka plot portierë të mirë në qarkullim, Donnarumma, Perin, Sirigu, Cragno, Meret”.

Exit mobile version