9.8 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Buy now

spot_img

Brukseli e përsërit ftesën, Kurti po pret lajme për policët, Vuçiq taktizon

Bashkimi Europian u ka bërë thirrje edhe një herë Kryeministrit Kurti për një takim “krize” në Bruksel. Kryeministri Kurti nuk ka vendosur të shkojë, pa e ditur gjendjen e policëve të rrëmbyer nga Serbia. Vuçiq thotë se për këtë do të marrë vendim taktik, duke lënë të kuptohet se është duke pritur cfarë po bën  Kryeministri i Kosovës që  i ka policët robër në Serbi. 

BE-ja kërkon që të dy të shkojnë pa kushte  duke kërcënuar me pasoja palën “jokonstruktive”.

Pas gati një muaj tensionesh, Bashkimi Evropian është bërë gati t’i ftojë Kryeministrin Albin Kurtin dhe Presidentin serb, Aleksandër Vuçiqin në një takim. Por, tani që u pjekën kushtet në BE për takim, edhe Kurti edhe Vuçiq kanë dilema.

Kryeministri Kurti e kishte një takim me Vuçiqin në listën e kërkesave të tij për BE-në.  Por, rrëmbimi i tre policëve kosovarë nga forcat serbe, i ndryshoi gjërat.

Pasi Kryediplomati evropian, Josep Borrell, i ka çuar ftesë, Kurti sot tha se nuk ka marrë vendim për takim me presidentin serb. Vendimin. Tha se këtë do ta bëjë kur të njoftohet për gjendjen e tre policëve që po mbahen të burgosur në Kralevë të Serbisë. Informatat pret t’i merr nga vizita e Shefit të Zyrës Ndërlidhëse në Beograd, Jetish Jashari.

“Kur t’i kem të dhënat nga kjo vizitë e tre policëve tanë që po mbahen peng në Serbi si hakmarrje për luftimin e krimit të organizuar e korrupsionit në Kosovë, do ta marr vendimin dhe do ta jap njoftimin. Vizita [Jasharit] është menduar për ditën e nesërme dhe unë do të jem në kontakt me ambasadorin që të më njoftojë për gjendjen e këtyre policëve që po mbahen rob në Serbi”, ka thënë ai.

Presidenti serb ka thënë se e konsideron të pakuptimtë të flasë me Kurtin, pasi, sipas tij, ai nuk është i gatshëm të flasë.

“Unë e konsideroj të pakuptimtë të flas me një person që nuk është i gatshëm të flasë”, tha Vuçiq për gazetarët në Beograd.

Megjithatë, kjo nuk i bie se ai nuk merr pjesë në një takim me Kurtin në Bruksel. Vuçiq tha se do të vendosë nëse do të shkojë në një takim teknik.  Sipas tij,  vendimi për ftesën e Borell do të jetë “taktik” dhe se për këtë do ta informojë opinionin.

Por, Vuçiq ka thënë se dialog për normalizimin e marrëdhënieve nuk do të ketë pa u liruar serbët e arrestuar në Veri.

Ndonëse janë ftuar Kurti dhe Vuçiq, Zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme, Peter Stano, ka thënë se nuk është caktuar akoma data e takimit, sepse dy liderët nuk e kanë konfirmuar pjesëmarrjen.

“Përfaqësuesi i Lartë, Borrell i  ka ftuar kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq të vijnë në Bruksel në një takim krize, për të gjetur një mënyrë për të dalë nga përshkallëzimi e për t’u kthyer te zbatimi i marrëveshjeve të dialogut. Data e takimit nuk është vendosur ende, pasi palët se kanë konfirmuar pjesëmarrjen. Përfaqësuesi i Lartë dhe shtetet anëtare presin qasje të arsyeshme nga partnerët që aspirojnë t’i bashkohen Bashkimit Evropian. Të dy janë të ftuar dhe presim të vinë pa parakushte. Gjetja e një zgjidhje është interes i njerëzve në Kosovë e Serbi”, ka deklaruar Stano.

Deklaratat e Kurtit dhe të Vuçiqit, në Bruksel janë konsideruar si “jokonstruktive”. Zëdhënësi ka thënë se kjo nuk është ftesë për ta kënaqur Brukselin, por për t’i ulur tensionet, për të cilat thotë se janë përgjegjës vetë Kurti dhe Vuçiq.

“Ftesa e Borrellit është ofertë dhe mundësi për ta që të dëshmojnë se pas të gjithave mund të jenë konstruktivë. Nuk është ftesë për të kënaqur Brukselin, por është për nevojën që të ulen tensionet dhe për të ardhmen evropiane të qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë. E për këtë, askush tjetër përveç Vuçiqit dhe Kurti nuk është përgjegjës”, tha Stano.

Tensionet në veri të Kosovës u rikthyer në fund të majit, kur Qeveria vendosi që kryetarët e rinj të komunave veriore të hyjnë me forcë në objektet komunale. Para komunës së Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit ka vazhdimisht turma serbësh të mbledhur.

Përgjatë gati një muaji, herë pas herë ka pasur tensione. Situata u tensionua më shumë më 29 maj, kur pati përleshje mes turmave dhe pjesëtarëve të KFOR-it në Zveçan.

Më 14 qershor, autoritetet e Kosovës kanë njoftuar se tre pjesëtarë të policisë janë rrëmbyer nga forcat serbe brenda territorit të Kosovës. Autoritetet serbe i kanë deklaruar ata si të arrestuar dhe tashmë u është caktuar një muaj paraburgim në Kralevë të Serbisë.

Gjatë gjithë kohës janë sulmuar ekipet mediale dhe gazetarët që kanë raportuar nga veriu. Nga 26 maji, deri më 16 qershor, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka regjistruar 30 sulme ndaj gazetarëve dhe ekipeve të mediave, të ndodhura në veri.

Kryetari i zgjedhur i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, është i ngujuar prej tre javësh në objektin e komunës.

Në fillim të këtyre zhvillimeve, shtetet perëndimore, të cilat konsiderohen aleatët më të mëdha të Kosovës, kanë dënuar veprimet e Qeverisë Kurti. Ato janë parë si të njëanshme dhe kanë nisur tensione ndaj Kosovës. Kurtit i është kërkuar që për shtensionimin e situatës të largojë kryetarët nga objektet komunale, deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img