E ardhmja e Marcelo Brozovic vazhdon të jetë ende e paqartë.
Në këtë fazë, sipas mediave italiane, nuk ka dyshime se ai do të largohet nga Interi këtë verë.
Brozovic thuhet se po përballet me presion nga agjentët e tij për të pranuar ofertën shumë më fitimprurëse të Al-Nassr, por mesfushori kroat po e dëshiron kalimin te Barcelona.
Sipas “SportItalia”, presioni është i kuptueshëm për shkak se nga transferimi eventual në Arabinë Saudite, do të përfitonin edhe përfaqësuesit e lojtarit.
Mirëpo, 30-vjeçari besohet se ka ide të tjera për hapin e tij të ardhshëm në karrierë.
Reprezentuesi i Kroacisë po joshet nga mundësia për t’u transferuar te Barcelona, me trajnerin Xavi që është i etur për të nënshkruar me të pasi e sheh si zëvendësues ideal të Sergio Busquetsit.
Ndryshe, Marcelo Brozovic ka kontratë të vlefshme me Interin deri në verën e vitit 2026.