Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, deklaroi sot se takimi i radhës i delegacioneve të Beogradit dhe Prishtinës do të përqendrohet në çështjet ekonomike.
Siç thuhet në njoftimin e Qeverisë së Serbisë, shkruajnë mediat serbe, përcjell Telegrafi, Brnabiq, në fjalimin e saj para gazetarëve në Senta, tha që më parë ishte folur për rivendosjen e linjës ajrore Beograd-Prishtinë, si dhe trafikun hekurudhor.
“Këto janë kryesisht tema ekonomike të cilat ne i kemi përmendur gjithmonë dhe që Presidenti Aleksandar Vuçiq ka këmbëngulur gjithmonë, jo vetëm në bisedimet me Prishtinën, por edhe brenda iniciativës mini-Shengen”, ka deklaruar ajo.
Sipas saj, kjo është në interes jo vetëm të Serbisë dhe qytetarëve të saj, por të gjithë rajonit.
Madje, Brnabiq ka shtuar se ajo pret që bashkësia ndërkombëtare të jetë e qartë, për siç ka thënë “jo vetëm në dënimin e ngjarjeve rreth Manastirit të Deçanit, por edhe në parandalimin e rrezikimit të trashëgimisë kulturore-historike-fetare serbe”.