Site icon PrishtinaPress

Britania, shtetasve të vet në Ukrainë: Largohuni, mos e prisni evakuimin ushtarak

Shtetasit britanikë që zgjedhin të rrinë në Ukrainë nuk duhet të presin një evakuim ushtarak nëse konflikti me Rusinë shpërthen, ka thënë zëvendësministri i Mbrojtjes James Heappey për “Sky News”.

“Shtetasit britanikë duhet të largohen menjëherë nga Ukraina në të gjitha mënyrat që munden dhe nuk duhet të presin, siç e panë çka ndodhi në verë në Afganistan, se do të ketë mundësi për një evakuim ushtarak”, tha ai.

Të premten, qeveria britanike këshilloi shtetasit e vet që të largohen nga Ukraina tani sa ka mënyra për udhëtim, derisa nuk i ka rekomanduar aspak udhëtimet e mëtejshme drejt këtij shteti.

Heappey tha se nuk është marrë ende asnjë vendim për praninë diplomatike të Britanisë në Ukrainë, shkruan Reuters.

Sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace, tha të premten se trupat britanike të dërguara në Ukrainë për stërvitje do të kthehen së shpejti.

“Nuk do të ketë trupa britanike në Ukrainë nëse ka ndonjë konflikt me Rusinë”, tha Heappey.

Një thirrje të njëjtë si kjo e qeverisë së Britanisë së Madhe drejtuar shtetasve të vet në Ukrainë e ka bërë edhe presidenti amerikan Joe Biden.

Ky i fundit pritet të flasë sot në telefon me homologun e tij rus Vladimir Putin, teksa vendet perëndimore paralajmëruan se lufta në Ukrainë mund të nisë në çdo moment.

Edhe Australia, Kanadaja dhe Holanda janë ndër vendet që u bënë thirrje qytetarëve të vet të largohen nga Ukraina sa më shpejt të jetë e mundur.

Exit mobile version