I dërguari special i kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor Lord Stuart Peach pas takimit që kishte me kryeministri e Kosovës Albin Kurti, ka thënë se vizita e tij në Kosovë ishte në një kohë serioze. Ndërsa ka theksuar se gjatë takimit me kryeministrin Kurti, ka dhënë një mesazh të qartë se veprimi i Qeverisë së Kosovës, për të imponuar me dhunë kryetarët e komunave në veri, ishte i pamatur dhe me pasoja të dëmshme.
“Kjo është vizita ime e katërt në Kosovë dhe vjen në një kohë serioze. Kam takuar kryeministrin Kurti dhe kam pasur takime edhe me zëvendëskryeministrin Gervalla, me ministrin e Mbrojtjes Mehaj, me KFOR-in dhe me ambasadorin Hovenier. Në takimet e mia me qeverinë kam dhënë një mesazh shumë të qartë: veprimi i qeverisë së Kosovës për të imponuar me dhunë kryetarët e komunave nëpër ndërtesa komunale ishte i pamatur dhe ka pasur pasoja të dëmshme. Është e nevojshme që të gjitha palët të de-përshkallëzohen tani”, ka thënë ai.
Ndërsa ka thënë se ngjarjet e fundit në veri, kanë dëmtuar imazhin ndërkombëtar të Kosovës dhe reputacionin me aleatët e saj.
“Kam ndjekur nga afër ngjarjet dhe kam biseduar me homologët në Uashington, Bruksel dhe më gjerë. Ato biseda më kanë bërë të qartë se ngjarjet e fundit kanë dëmtuar imazhin ndërkombëtar të Kosovës dhe reputacionin e saj me aleatët e saj. Mbretëria e Bashkuar i ka qëndruar Kosovës në kohët më të mira dhe më të këqija, si mike dhe mbështetëse dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë, por veprimet e njëanshme vetëm sa do ta bëjnë këtë më të vështirë”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Ambasada britanike në Kosovë.