Drejtori i Shërbimeve Publike në Prishtinë, Bekim Brestovci, ka shpërndarë një mesazh të rëndësishëm për qytetarët dhe punonjësit e ndërmarrjes “Pastrimi”, duke theksuar angazhimin për krijimin e një mjedisi të pastër dhe të shëndetshëm në kryeqytet, raporton PrishtinaPress.
Ai nënvizon se pastrimi i Prishtinës është prioritet për Komunën dhe se vizioni për një qytet të pastër kërkon një mekanizëm të fuqishëm dhe makineri adekuate, të cilat aktualisht mungojnë.
Brestovci sqaron se në vitin 2025, për të realizuar këtë vizion, do të kërkohet mbështetje nga operatorët privatë për bartjen e mbeturinave, por kjo nuk do të ndikojë në punësimin e punëtorëve të “Pastrimi”. Ai i siguron qytetarët dhe punëtorët se kontraktimi i kompanive private ka për qëllim përmirësimin e shërbimeve dhe jo largimin e punonjësve nga puna.
Në këtë kontekst, ai reagoi ndaj protestës së punëtorëve të ndërmarrjes “Pastrimi”, duke e cilësuar atë si pasojë të manipulimeve me interesa politike dhe jo si një mbrojtje të vërtetë të interesave të punonjësve.
“Ne mbesim të palëkundur në angazhimin tonë për një ambient më të pastër dhe më të shëndetshëm për të gjithë qytetarët e Prishtinës,” tha Brestovci.
Kjo është një ftesë për të gjithë qytetarët që të mbështesin përpjekjet për një qytet më të pastër dhe të përfshihen në ruajtjen e mjedisit./PrishtinaPress/