Drejtorati i Shërbimeve Publike, nëpërmjet një deklarate nga Drejtori Bekim Brestovci, ka reaguar ndaj përpjekjeve të opozitës për të bllokuar angazhimin e operatorëve privatë në menaxhimin e mbeturinave në Kryeqytet, shkruan PrishtinaPress.
Ai e ka cilësuar si të paligjshme seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga grupi i asambleistëve të PDK-së, duke theksuar se qëllimi i këtij veprimi është të minohet strategjia për një Prishtinë të pastër.
Brestovci ka theksuar se Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe ai personalisht mbesin të palëkundur në angazhimin për një Kryeqytet të pastër, duke siguruar se asnjë vend pune i punonjësve të ndërmarrjes “Pastrimi” nuk do të rrezikohet nga veprimet e planifikuara për vitin 2025.
Ai ka kritikuar manipulimet dhe gënjeshtrat e opozitës, të cilat, sipas tij, synojnë të krijojnë një situatë të pavërtetë në lidhje me kërcënimin për punonjësit e “Pastrimi”.
Brestovci gjithashtu ka nënvizuar se për shkeljet procedurale dhe paligjshmërinë e seancës së sotme, Ministria e Pushtetit Lokal do të ofrojë një interpretim të detajuar së shpejti.
Ai ka përfunduar duke theksuar se qytetarët e Kryeqytetit meritojnë një mjedis të pastër, pa marrë parasysh kundërshtimet e mundshme nga palët e tjera politike./PrishtinaPress/