Deputeti i PDK-së, Ferat Shala shkruan për faktin se BQK vazhdon të jetë pa gurvenator.
Siç thotë ai, “kjo situatë tregon për kolapsin dhe paaftësinë totale që mbizotëron”.
Ai thotë se ky problem “është thelluar” teksa edhe liston shqetësimet.
“Tani problemi është thelluar dhe sipas ligjit të BQK-së, Kuvendi i Kosovës me siguri do të duhet të zgjedhë anëtarë të tjerë të Bordit Drejtues pasi që anëtarët aktualë e kanë humbur legjitimitetin dhe qëllimisht e kanë defunksionalizuar punën në BQK. Pra asnjë vendim nuk mund të merret nga Bordi i BQK-së pasi nuk ka kuorum dhe për këtë arsye vetëm Kuvendi i Kosovës mund ta funksionalizojë atë duke zgjedhur anëtarët e rinj”, shkruan tutje Shala.
Reagimi i plotë:
Institucioni më i rëndësishëm në vend mbetet pa Guvernator dhe pa menaxhim aktiv.
Gara për zgjedhjen e Guvernatorit të BQK-së vazhdon, edhe pse është rishpallur në fillim të qershorit dhe është mbyllur më 21 qershor 2023. Kjo situatë tregon për kolapsin dhe paaftësinë totale që mbizotëron.
Bordi drejtues i BQK-së, i cili do të ishte përgjegjës për menaxhimin e procedurave të rekrutimit të Guvernatorit, është jofunksional dhe aktualisht kryen kompetenca ekzekutive.
Tani problemi është thelluar dhe sipas ligjit të BQK-së, Kuvendi i Kosovës me siguri do të duhet të zgjedhë anëtarë të tjerë të Bordit Drejtues pasi që anëtarët aktualë e kanë humbur legjitimitetin dhe qëllimisht e kanë defunksionalizuar punën në BQK. Pra asnjë vendim nuk mund të merret nga Bordi i BQK-së pasi nuk ka kuorum dhe për këtë arsye vetëm Kuvendi i Kosovës mund ta funksionalizojë atë duke zgjedhur anëtarët e rinj.
Në këtë rast, shqetësimi është ky:
1) Herën e parë, të njëjtën procedurë e ka bërë Bordi i BQK-së, por në situatën aktuale në çfarë kushtesh, apo cili organ ka marrë vendim për rishpalljen e konkursit për Guvernator të BQK-së në mungesë të kuorumit në BQK. Bordi drejtues/jo ekzekutiv?
2) Kush dhe si u mor vendimi për krijimin e panelit përzgjedhës?
3) Kush e dërgon tani listën e personave të propozuar për Guvernator në Komisionin Parlamentar, pasi herën e parë ka ardhur nga Kryetari i Bordit?
4) A janë tejkaluar kompetencat ligjore kur anëtarët e Bordit Drejtues zhvendosen për të zënë poste në Bordin Ekzekutiv, pra të Guvernatorit dhe Zëvendës Guvernatorëve?
5) Si është e mundur ligjërisht dhe proceduralisht që njëra nga zëvendësguvernatorët të japë dorëheqjen dhe automatikisht të kthehet në Bordin e BQK-së ku është emëruar për herë të parë?
6) Si parashikohet të bëhet kuorumi në Bordin e BQK-së dhe cilat janë taktikat e radhës?
Ka shumë gjëra të jashtligjshme që nuk kanë kuptim siç kanë ndodhur, por ne presim epilogun dhe do ta monitorojmë në ditët në vijim dhe do të dalim me shkeljet konkrete që janë bërë në këtë institucion.