Numri i yjeve që do të humbasin Botërorin vazhdon të shtohet për shkak të dëmtimeve. I fundit është Diogo Jota, sulmuesi portugez i Liverpulit, i cili pësoi një tërheqje muskulore në kofshë ndaj Sitit, që do ta mbajë larg fushave për disa muaj. Botërori i parë që do të luhet në mes të sezonit i ka lënë lojtarët në ankth se një dëmtim në këto momente mund t’i privojë atyre ëndrrën për të shkuar në Katar muajin e ardhshëm.
Fatin e Jotas pritet ta ketë edhe shoku i tij i kombëtares, Pedro Neto, por edhe mbrojtësi francez, Bubakar Kamara.
Ndërsa yje të tjerë, si dyshja e Çelsit, Ris Xhejms dhe N’Golo Kante, por edhe Pol Pogba, mbeten në dyshim të madh për t’u rikuperuar deri atëherë.
Ka aq shumë lojtarë në infermieri sa mund të krijosh një formacion të tërë me të dëmtuarit që u kërcënohet një biletë në Katar. Në portë do të ishte portieri i Argjentinës, Huan Muso.
Një dëmtim në fytyrë i portierit të Atalantës solli operimin e tij dhe ai mund të mungojë në Botëror.
Dyshime të vogla gjithsesi ka edhe për portierin e Realit, Tibo Kurtua, i cili i ka humbur të gjitha ndeshjet për klubin që prej pushimit të kombëtareve, shkruan Panoramasport.
Në mbrojtje do të ishte Kamara, i cili këputi ligamentet vetëm pas 8 ndeshjesh karrierë me Aston Vilën. Atij mund t’i bashkohet edhe ylli i Barçës dhe Uruguait, Ronald Arauho, i cili pësoi një tërheqje në kofshë në shtator dhe pritet të mungojë.
Mbrojtësi i majtë Lukas Dinj është gjithashtu një nga yjet e Deshampit që pritet të mungojë, ndërsa fati i mbrojtësit të djathtë të Anglisë, Ris Xhejms, është në fije të perit pas dëmtimit në gju në ndeshjen e Chelsea kundër Milanit në Champions.
Kante nuk ka luajtur futboll që prej gushtit dhe i është ripërsëritur dëmtimi pak ditë më parë. Ndërsa Pogba ka një dëmtim në gju që mund të mos ia dalë.
Formacionit i bashkohet edhe ish-ylli i Liverpulit, Xhini Vajnaldum. Holandezi luajti vetëm një ndeshje i huazuar te Roma përpara se të pësonte frakturë në tibian e këmbës së djathtë.
Dyshime mbeten edhe për Kalvin-Filipsin e Sitit pas dëmtimit në shpatull. Në sulm meksikani Raul Himenez rrezikon të mungojë në Botëror pas një problemi të yllit të Uolvesit në ijë.
Dibala do ta ketë gjithashtu të vështirë të rikthehet të luajë përpara vitit 2023, ndërsa shanset duken më të mira për Di Marian. Edhe Gjermanisë mund t’i mungojë një yll gjithnjë i pafat si Marko Rojs pas dëmtimit në kavilje të mesfushorit të Dortmundit./Prishtinapress/