Janë 33 vetura të Agjencisë Kosovare për Privatizim, të cilat qarkullojnë në komunikacion pa e vazhduar regjistrimin vjetor.
Kjo për shkak se Komuna e Prishtinës nuk po ua lëshon vërtetimin e pagesës së taksës rrugore, e që është dokument i domosdoshëm për regjistrimin e automjeteve, raporton KTV.
Për ta nxjerrë këtë dokument, subjekti që aplikon duhet të ketë të shlyer borxhin e tatimit në pronë.
Në komunë tregojnë se arsyeja e bllokimit të regjistrimit lidhet pikërisht me borxhin e madh që ka agjencia.
Adonis Tahiri, zëdhënës në Komunën e Prishtinës thotë se në të kaluarën këtë problem komuna dhe agjencia e kishin zgjidhur me një memorandum mirëkuptimi.
Në Agjencinë Kosovare të Privatizimit nuk kanë pranuar të flasin para kamerës, por kanë pranuar se veturat nuk kanë regjistrim.
Zëdhënësi i AKP-së, Ylli Kaloshi, ka bërë të ditur se borxhi është grumbulluar për shkak të ankesave të kreditorëve dhe pamundësisë së kryerjes së procesit të likuidimit.
“Agjencia është e gatshme që të përgatisë raportet e shpërndarjes për ndërmarrjet në likuidim, por ka pengesa nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme të Kosovës, e cila në vazhdimësi po shkakton vonesa në procesin e shqyrtimit të ankesave të kreditorëve. Moslëshimi i këtyre vendimeve në shumicën e rasteve pamundëson përgatitjen e raportit të shpërndarjes, e që rrjedhimisht nënkupton që pamundëson edhe ekzekutimin e pagesave për kreditorët e ligjshëm, e në këtë rast edhe të Komunës së Prishtinës”, ka thënë Kaloshi.
Sipas Kaloshit, Komuna duhet ta ketë parasysh se mungesa e veturave e vë në pikëpyetje realizimin e objektivave të AKP-së.
Burime të Policisë së Kosovës i kanë thënë Kohavisionit se tashmë disa tiketa prej qindra eurosh janë lëshuar si gjobë ndaj veturave të AKP-së.