Ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian do zhvillojnë takimin tradicional me homologët e tyre nga Ballkani Perëndimor.
Ky takim do mbahet në margjinat e takimit të rregullt të shefave të diplomacisë evropiane të shteteve anëtare të BE-së. Kosovën në këtë takim e përfaqëson ministrja e jashtme Donika Gërvalla.
Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Jospe Borrell në fillim të takimit ministror ka theksuar se takime me gjashtë ministrat nga Ballkani Perëndimor dëshmon se sa i rëndësishëm është rajoni për Bashkimin Evropian.
“Do të diskutojmë propozimet e fundit të komisionit për zgjerim, do këmbëngulim në nevojën për të ndjekur më nga afër politikën tonë të jashtme. Disa vende nuk kanë harmonizuara politikat me politikën e jashtme të BE-së, si dhe sanksionet”, ka porositur Borrell.
Sipas paralajmërimeve nga selia e BE-së, gjatë takimit të përbashkët me ministrat e rajonit do trajtohet situata e sigurisë në Ballkanin Perëndimor si dhe bashkëpunimi mes BE-së dhe vendeve të rajonit në fushën e politikës së jashtme dhe sigurisë.
Kurse, ministrja e punëve të Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock, ka dhënë porosi të qarta për perspektivën e anëtarësimit të Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Bosnjës e Serbisë në Bashkim Evropian.
Kur foli para gazetarëve në nisje të takimit të shefave e shefeve të diplomacisë së 27 vendeve anëtare të BE-së që po mbahet këtë të hënë në Bruksel, diplomatja gjermane, gjithashtu potencoi rëndësinë e pjesëmarrjes së gjashtë ministrave të jashtëm nga perëndimi i Ballkanit të cilët do takohen me evropianët, në një sesion pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave.
“Oferta e paqes dhe sigurisë në Bashkimin Evropian është mburoja mbrojtëse më e rëndësishme tani edhe për partnerët dhe miqtë tanë në Ballkanin Perëndimor. Prandaj është kaq qendrore ,që ne në këto kohëra ta kuptojmë që zgjerimi është një çështje gjeopolitike, dhe që për paqe e siguri në Evropë, nuk duhet të ketë “zona gri””, tha ajo
Kryediplomatja nga Berlini, shtoi se BE-ja forcohet me zgjerimin që pritet të bëhet me shtete të reja anëtare, njofton Klankosova
“Jam shumë e lumtur që ministrat e Jashtëm të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor janë këtu me ne përsëri për të shkëmbyer ide. Në konferencën e Berlinit ne tashmë e kemi bërë të qartë se zgjerimi është jo vetëm çështje gjeopolitike, por po ashtu e forcon edhe BE-në, se zgjerimi mund ta bëjë më të fortë nga brenda, sidomos kur është fjala për reformat. Prandaj, është e rëndësishme që partnerët nga rajoni t’i përfshijmë edhe në çështjet që lidhen me të ardhmen e Evropës, e jo vetëm t’i dëgjojmë një herë në vit”, tha ajo.
Takimi zhvillohet disa ditë pasi Komisioni Evropian miratoi dhe publikoi paketën e zgjerimit dhe raportet vjetore të progresit. Në to vlerësohet bashkëpunimi dhe koordinimi i veprimeve të shteteve të rajonit me BE-në në fushën e politikës së jashtme, me përjashtim të Serbisë dhe në një masë edhe të Bosnje e Hercegovinës, pasi këto dy vende kanë nivel më të ulët të përshtatjes me qëndrimet e BE-së në fushën e politikës së jashtme.