Site icon PrishtinaPress

Borrell: Situata në Kosovë është më e rrezikshmja që nga viti 2013 – të tregohet fleksibilitet për targa, dhe të niset themelimi i Asociacionit

Josep Borrell, përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, në konferencë për media pas takimit të Këshillit të ministrave të jashtëm BE-së, ka thënë se situata në Kosovë është më e rrezikshmja që nga viti 2013.

Andaj, Borrell ka ftur Kosovën dhe Serbinë që të tregojnë urgjentisht gatishmëri për të ecur para e t’i ulin tensionet.

Më tej ka shtuar se Kosova duhet të tregojë fleksibilitet për çështjen e targave, ndërsa duhet të nisë edhe punën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Serbët e Kosovës duhet të kthehen në institucione të Kosovës, autoritetet e Kosovës të tregojnë fleksibilitet për targat, e të punojnë në implementimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe pa vonesa”, ka thënë Borrell.

“Duhet të ulen tensionet që po arrijnë në nivele të rrezikshme. Mund të themi se jemi duke u përballur me krizën më serioze e të rrezikshme që nga viti 2013, pra në dhjetë vjetët e fundit. Të dyja palët duhet të tregojnë urgjentisht gatishmëri për të ecur para e t’i ulin tensionet”.

“Nuk është e pranueshme nga asnjëra palë që të injorojë apo shkelë marrëveshjet e arritura në dialog”, u shpreh Borrell.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, theksoi se tërheqja e serbëve në veri nga policia, gjyqësori, ka krijuar një vakum.

“Në këtë vakum më e keqja mund të ndodh. Mesazhi nga Këshilli është i qartë, dyja palët duhet të tregojnë fleksibilitet, na duhet progres i qartë. Kemi prezantuar një propozim. Falënderojmë Gjermaninë e Francën që kanë përkrahur këtë propozim”, tha ai.

Ndryshe, BE-ja dhe SHBA-ja i kanë kërkuar Kosovës që të shtyjë për dhjetë muaj zbatimin e planit për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe, me qëllim shmangien e tensioneve.

Qeveria e Kosovës, megjithatë, ka nisur zbatimin e tij më 1 nëntor.

Faza e parë e planit parasheh qortimin e shoferëve që vozisin makina me targa të paligjshme; e dyta parasheh gjoba prej 150 eurosh, ndërsa në të tretën do të shpërndahen targa provuese.

Me këtë plan, pritet që nga 21 prilli i vitit të ardhshëm, në komunikacion të lejohen vetëm makina me targa RKS.

Exit mobile version