Takimet bilaterale të mërkurën në Bruksel përfunduan pa takim trepalësh, siç u paralajmërua. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vendosi tri kushte. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq insistoi sërish te pika e ‘nxehtë’, Asociacioni. E shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell kërkoi zbatim paralel, Kosova të nis procesin drejt Asociacionit, derisa Serbia të nis njohjen e dokumenteve, simboleve shtetërore dhe institucioneve të Kosovës, raporton Sinjali.
Borrell deklaroi të mërkurën se Kosova nuk ishte e gatshme për takim trepalësh dhe se gjatë takimeve dypalëshe, paraqiti tri kushte për angazhimin e mëtejmë në procesin e normalizimit të raporteve me Serbinë.
“Si zakonisht, diskutimet ishin të vështira dhe në fund nuk pati takim trepalësh. Kosova nuk ishte e gatshme për një takim të tillë, Serbia ishte. Fatkeqësisht kushtëzimi i zbatimit nuk lejoi që diskutimet të përqendroheshin në veprime konkrete të zbatimit nga palët”. – tha Borrell.
“Tani u takon palëve të tregojnë konstruktivitet dhe të mundësojnë që procesi të lëvizë përpara. Kjo është në interesin e tyre dhe është në interesin e aspiratave të tyre për integrim evropian”, tha Borrell.
Borrell po ashtu konfirmoi se Lajçak do të presë në takim kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë javën e ardhshme për të vazhduar diskutimet për planin e zbatimit të Marrëveshjes, por edhe për çështje të tjera të dialogut.
Tri kushtet e Kurtit janë formalizimi i Marrëveshjes Bazë përmes nënshkrimit nga krerët respektivë të shteteve, tërheqja e letrës zyrtare e dorëzuar në BE nga ish-kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, më 13 dhjetor 2023, si dhe dorëzimi i Milan Radoiçiqit dhe grupit të tij paramilitar terrorist tek autoritetet e Kosovës.
Takimi i fundit trepalësh mes Kurtit e Vuçiqit me ndërmjetësit evropianë ishte mbajtur në shtator të vitit të kaluar, para Banjskës.