Site icon PrishtinaPress

Borrell: Jemi takuar shumë herë me Kurtin e Vuçiqin për menaxhim krizash, tash është koha të zbatohet Marrëveshja Bazike

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell, ka folur përpara takimit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi.

Borrell tha se me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, janë takuar shumë herë vitin e kaluar, e që sipas tij, në disa çështje, diskutimet kanë qenë intensive, por u ankua se shumë herë është dashur të merren me menaxhim të krizave.

“Ne jemi takuar shumë herë vitin e kaluar. Në disa çështje, diskutimet kanë qenë intensive. Në pothuajse në të gjitha takimet në maj, në qershor, në shtator, ne më së shumti jemi fokusuar në menaxhimin e krizave. Disa ngjarje na kanë gjetur shumë të zënë duke u përpjekur për të gjetur zgjidhje për krizat e përditshme”.

“Në muajt e ardhshëm do të jenë emra të rinj në pozitat tona, por marrëveshjet dhe pritshmeritë e BE-së nuk do të ndryshojnë. Përgjegjësitë nga marrëveshjet për Kosovën dhe Serbinë nuk do të ndryshojnë. Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është në zemër të Bashkimit Evropian në angazhimin në Ballkanin Perëndimor”, tha Borrell.

Më tej, kryediplomati evropian tha se nga takimi i sotëm pret që më në fund të lëvizet përpara me Marrëveshjen Bazike, teksa tha se çka është arritur deri më tani, duhet të implementohet.

“Shpresoj që sot definitivisht do të diskutojmë se si më në fund do të lëvizim përpara bazuar në këtë marrëveshje. Për këtë do të diskutojmë hapat e ardhshëm dhe është e qartë se çka është arritur duhet të zbatohet. Marrëveshjet janë baza, por implementimi duhet t’i ndjek marrëveshjet. Sot do të punojmë në hapat konkretë për këtë implementim për t’i tejkaluar krizat e çdo ditshme me angazhim të plotë në këtë proces të normalizimit”, tha ai.

Exit mobile version