Bordi i Radio Televizionit të Kosovës e ka shkarkuar Menor Shalën nga pozita e zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të RTK-së.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Bordi, përmes një komunikate për media, duke thënë se vendimin e kanë marrë pas propozimit që e ka bërë Shkumbin Ahmetxhekaj, Ushtrues i Detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm në RTK.
“Z. Shala gjatë kohës së kryerjes së detyrave në RTK, në vazhdimësi dhe në mënyrë të përsëritur ka shkelur Ligjin për RTK-në dhe Rregulloret e Brendshme të RTK-së, qoftë duke vepruar në kundërshtim me ligjin dhe aktet e brendshme apo duke mos ruajtur paanshmërinë”, thuhet ndër të tjera në arsyetimin e U.D Drejtorit të Përgjithshëm për shkarkim që e ka aprovuar Bordi i RTK-së, shkruan Gazeta Insajderi.
Në pozitën e njëjtë Bordi e ka emëruar përkohësisht Arsim Halili, deri në përzgjedhjen e kandidatit për këtë pozitë sipas konkursit publik, por jo më shumë se 6 muaj.