Kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë pas skandalit lidhur me shkrimin e mediumit Slobodna Bosna, i cili ishte publikuar pa e verifikuar në RTK, ku ishin përmendur Nacionale dhe Presikopi “që paguhen nga Serbia”.
Në reagimin e tij, Boletini ka thënë se gjetjet e raportit të komisionit ishin të qarta, por sipas tij zëvendësdrejtori Adi Krasta nuk po i adreson këtë raport.
Ai tutje ka thënë se Krasta, siç po shihet nuk ka vullnet për të marrë masa ndaj atyre që e shkaktuan skandalin.
“Sot gjatë mbledhjes së bordit, kam dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit dhe anëtarit të Bordit të RTK-së. Përpjekjet për të adresuar skandalin e publikimit të një artikulli të paverifikuar, gjatë këtyre javëve ishin të përditshme dhe të vazhdueshme, përkundër vështirësive.
“Gjetjet e raportit të komisionit ishin të qarta. Që nga data 9 gusht, zëvendësdrejtori Adi Krasta (që i ka përgjegjësitë e drejtorit) nuk po e adreson këtë raport. Të jesh në krye të transmetuesit publik edhe për një ditë është privilegj, por edhe përgjegjësi. E siç po shihet ai nuk ka vullnet për të marrë masa ndaj atyre që e shkaktuan skandalin.”
“Në këtë situatë bordi i kishte duart e lidhura. Për këtë arsye u bë e domosdoshme emërimi i një ushtruesi të detyrës së drejtorit dhe hapja e konkursit po ashtu sot. Gjetja e një personi që e merr udhëheqjen në këtë situatë delikate ishte e vështirë. Ai që është në detyrë nuk po e bënte, patatja e nxehtë e priste dike tjetër. Megjithatë një kandidat ishte i gatshëm ta merrte detyrën.” – ka shkuar Boletini.