0.1 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Buy now

spot_img

Bojkotoni produktet e Serbisë!

Obstruksionet e vazhdueshme të krijuara nga shteti serb kundër Republikës së Kosovës – duke filluar nga mosrespektimi i marrëveshjeve të arritura në Bruksel, muri në veri, lëshimi i fletarresteve për ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), pengesat në anëtarësimet në institucionet ndërkombëtare, nisja e trenit ilegal nga Beogradi në Mitrovicë… – kanë shtyrë qytetarët në një organizim unik në rrejtet sociale, ku bëhet thirrje që të bojkotohen produktet serbe.

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, për Telegrafin thotë se vlera e importeve nga Serbia, gjate vitit 2016, ishte 389 milionë euro. Ndërkaq, duke folur për trendin e importeve fqinji verior, janari – sikurse në vitet tjera – karakterizohet me import më të ulët.

“Por, gjithsesi, trendi i importit nga Serbia mbetet i njëjtë ndër vite”, ka thënë ai.

Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës (viti 2008), importi i produkteve serbe në Kosovë ka shënuar rritje. Në vitet 2008-2016, Kosova ka importuar nga Serbia produkte në vlerë prej dy miliardë e 638 milionë euro.

VITI

VLERA E IMPORTEVE

2008

208,951,000

2009

210,901,000

2010

260,471,000

2011

254,917,000

2012

278,388,000

2013

258,356,000

2014

368,234,000

2015

382,129,000

2016

389,000,000

Këtë fushatë e mbështesin edhe politikanët, të cilët këtë iniciativë e shohin si tentim për ta mbrojtur produktin vendor.

Kryetari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik në Kuvendin e Kosovës, Muhamet Mustafa, thotë për Telegrafin se është legjitime që të mbrohen interesat ekonomike të Kosovës, sidomos kur dihet se Serbia – me politikat e saja – po e dëmton shtetin e Kosovës. Sipas tij, eksportet e Kosovës në Serbi janë minimale (14-15 milionë në vit), për dallim nga importet nga Serbia që janë mbi 300 milionë euro.

“Ndërsa në Shqipëri, që është një treg tre herë më i vogël se Serbia, eksportet e Kosovës arrijnë në mbi 40 milionë euro në vit”, ka shtuar ai

Serbia po pengon edhe me konsolidimin e KOSTT-it dhe sistemit energjetik, siç është shfrytëzimi i e interkoneksionit 400 kV me Shqipërinë, ndaj Mustafa thotë se ajo që duhet të bëjmë është që produkteve nga Serbia t’u krijojmë konkurrencë adekuate.

“Ta furnizojmë tregun me sasi, me cilësi dhe me çmime konkurrente, po edhe me marrjen e masave tjera kundër Serbisë”, ka shtuar ai.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Albulena Haxhiu, shprehet se tash e sa kohë subjekti i saj politik ka nisur fushatën me moton “Duaje tëndën”.

“Ne e kemi penguar disa herë hyrjen e këtyre produkteve në Kosovë, siç ishte rasti i para pesë viteve në Merdare dhe te Dheu i Bardhë. Pastaj ishin aksionet me rrotullimin e maunave me produkte serbe”, ka thënë Haxhiu për Telegrafin.

Sipas saj, masivizimi i fushatës së nisur në rrjetet sociale është i dobishëm, duke pasë parasysh prodhuesin vendor dhe dëmin ekonomik që atij i shkaktohet me importin nga Serbia. Ajo mendon se kjo fushatë mund të jetë hapi fillestar për t’i hapur rrugë zhvillimit ekonomik dhe për presion Serbisë për ta ndryshuar qasjen e saj ndaj Kosovës.

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Gazmend Abrashi, duke folur për sjelljen që duhet ta ketë Kosova përballë Serbisë dhe problemeve që po i krijon ajo për shtetin e ri, shprehet se Qeveria e Kosovës duhet të reagojë me masa ekonomike, që ta amortizojë biznesin me Serbinë dhe të stimulojë importin me vendet tjera. Sipas tij, institucionet e Kosovës duhet ta nxisin fuqizimin e ndërmarrjeve vendore – duke rritur kapacitetet prodhuese – krahas rritjes së konsumit të produkteve vendore.

“Ekonomia serbe dhe bizneset duhet të ndiejnë në ‘kuletë’ pasojat e politikës arrogante të shtetit të tyre. Të largohemi nga politikat ditore dhe të përqendrohemi që atë që e kemi fituar me luftë, mos ta humbim në paqe”, ka shkruar Abrashi.

Ndryshe, ndërhyrjet e vazhdueshme të Serbisë për destabilizimin e shtetit më të ri në Evropë, kanë bërë që shqiptarët e Kosovës të shohin mënyra dhe mundësi për revansh me thirrjet për bojkotim të produkteve që nisin me numrin 860 në barkod. Prandaj: Bojkotojini produktet e Serbisë.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img