Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka akuzuar VV-në se po i bojkoton seancat e jashtëzakonshme për shkak të dëshmisë së koalicionit të kësaj partie me Listën Serbe, si dhe korrupsioni në KEK.
“Kur ikë prej një ballafaqimi mundohesh me fshehur të vërtetën. Elementi i parë më goditës për besimin ndaj VV-së është me shpërfaqjen e së vërtetës së koalicionit të VV-së me Listën Serbe. Me publikimet e përgjimeve dhe mesazheve, shihet që komunikimi i VV me Listën Serbe ka qenë në vazhdimësi. Prej me zgjedhjen e presidentes, me ligjet më bazike, jo për ligje që lidhen me komunitete. Së fundmi u shpërfaq edhe kjo me Pagën Minimale, kur i larguna disa kategori ndër ta edhe veteranët”, ka thënë Tahiri.
“Çështja e dytë pse ikin nga ballafaqimi, lidhet me korrupsioni. Shpërfaqja e një personi që s’ka pozicion formal në shtetin e Kosovës, dhe KEK’ut tregon aferën korruptive të dy elementeve që më së shumti i kanë sulmu qeveritë tjera; korrupsionin dhe nepotizmin”, ka thënë ai në “Pressing”.