Site icon PrishtinaPress

Bojkoti i deputetëve/ Vetëm 22 ligje të miratuara në një sesion

Herë opozita lëshon sallën, herë pushteti.

Ka kohë që deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk gjejnë gjuhë të përbashkët.

Të enjten e kësaj jave ishin partitë opozitare ato që e braktisën seancën, pasi partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, doli kundër propozimit të tyre për të diskutuar për grevën e minatorëve të Trepçës dhe për kërkesat e Policisë së Kosovës.

Të enjten e javës së kaluar, Vetëvendosja la seancën, pasi kërkesa e saj për të diskutuar pikat e mbetura të seancave të kaluara e pastaj propozimin e opozitës për koeficientin e pagave, nuk kaloi.

Kjo legjislaturë prej 120 deputetësh është konstituuar më 22 mars të vitit 2021.

Zyra për Informim e Kuvendit të Kosovës nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë rreth ligjeve të miratuara dhe atyre në procedurë, por organizatat që monitorojnë punën e Kuvendit, thonë se një përqindje e madhe e tyre nuk ka kaluar.

“Mosbashkëpunimi i partive parlamentare dhe ikja nga përgjegjësia e deputetëve, duke i braktisur seancat, mund të përfundojë me dështim të punës së Kuvendit”, thotë Arbër Thaçi, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës (IDK), për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, në sesionin pranveror të Kuvendit këtë vit, që ka nisur në janar dhe ka përfunduar në gusht, kanë qenë të planifikuara 130 projektligje për shqyrtim, ndërsa janë miratuar vetëm 22 prej tyre, ose 17.13 për qind.

Për më tepër, pezull ka mbetur edhe ratifikimi i disa marrëveshjeve ndërkombëtare, të cilat, mes tjerash, kanë të bëjnë me kredi për zhvillimin e sektorit të energjisë, të linjave hekurudhore dhe të ngrohjes, si dhe me bursa për studentë.

Sipas IDK-së, disa prej tyre, nga muaji prill, “janë bartur në 30 seanca të Kuvendit”, por nuk janë miratuar – herë në mungesë kuorumi, herë në mungesë të votave të mjaftueshme.

Me ligjin në Kosovë, marrëveshjet ndërkombëtare mund të ratifikohen vetëm me votat e 2/3 së deputetëve.

Duke e fajësuar pushtetin për një sërë çështjesh, si keqmenaxhim të buxhetit dhe mosbashkëpunim me aleatët ndërkombëtarë, shumë deputetë të opozitës u zotuan muajin e kaluar se nuk do të votojnë asnjë marrëveshje ndërkombëtare, derisa vendi nuk shkon në zgjedhje të reja.

Atëkohë, REL-i ka pyetur Zyrën për Informim të Kuvendit të Kosovës se cilët do të jenë hapat e mëtutjeshëm apo pasojat nga mosmiratimi i këtyre marrëveshjeve, por nuk ka marrë përgjigje.

“Pasoja të pariparueshme”

Naim Jakaj, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), thotë se mosmiratimi i ligjeve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare mund të sjellë pasoja të pariparueshme për qytetarët e Kosovës.

“Po e përmend një fakt: Kemi një marrëveshje ndërkombëtare që është proceduar në Kuvend – Marrëveshja mes Ministrisë së Arsimit të Kosovës dhe Ambasadës së Francës në Prishtinë, që ka të bëjë me disa bursa për studentët… Afatet kohore mund të kalojnë dhe miratimi i mëvonshëm i kësaj marrëveshjeje mund të mos ketë efekt fare”, thotë Jakaj për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, deputetët duhet të jenë më aktivë dhe profesionalë në punën e tyre, sepse, përveç pagës, kanë edhe favorizime të tjera për pjesëmarrje në aktivitete të ndryshme.

Paga bazë e një deputeti në Kuvendin e Kosovës është 1.722 euro në muaj.

Për pjesëmarrje në mbledhje të komisioneve dhe grupeve punuese, ata përfitojnë shtesa: 20 për qind të pagës bazë.

Pesë euro, ndërkaq, u ndahen për shpenzime ditore kur marrin pjesë në punimet e seancave plenare.

Atyre u kompensohen edhe mjetet e udhëtimit – maksimumi deri në 200 euro në muaj.

Rregullorja për shtesa mbi pagën bazë për deputetët është miratuar në prill të këtij viti.

Me rregulloren e punës së Kuvendit të Kosovës, ndërkaq, deputeti e ka për detyrë dhe obligim që të marrë pjesë në punimet e Kuvendit për t’i përfituar këto të ardhura. Për mospjesëmarrje të paarsyeshme në seancë, deputetit nuk i jepet kompensimi shtesë.

Exit mobile version