Site icon PrishtinaPress

Bogaj i reagon Pecit: Po bën shantazh për pronën e Institutit Bujqësor, kemi ushtruar padi

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, duke folur në lidhje me Institutit Bujqësor të Kosovës në Prishtinë, ka thënë se ka nënshkruar vendim për lirimin e pronës, siç u shpreh ai të uzurpuar, veprim administrativ ky sipas tij, i mbështetur në bazë ligjore.

Për këtë deklaratë të Pecit ka reaguar Yll Bogaj, i cili thotë se është pronar i pronës. Ai ka deklaruar se ministri është duke synuar shantazhin publik, frikësimin dhe shpronësimi.

“Videoja shantazhuese e Faton Pecit, është vazhdimësi e shantazhit të tij publik që na është bërë tash e një vit të plotë. Për më tepër, kulmi i çdo gjeje ka qenë dje kur kemi pranuar një ‘Vendim’ të Faton Pecit, i cili në mënyrë krejtësisht arbitrare na kërkon që ta lirojmë pronën tonë legale brenda shtatë ditësh, nën kërcënimin e largimit tonë me forcë nga prona jonë private”.

“Deri me sot, kemi dashur të kursehemi nga diskursi publik i përplasjes së gënjeshtrave të Faton Pecit me gjendjen faktike juridike, pasi që kemi vlerësuar e besuar siç vazhdojmë të besojmë, se për konteste të tilla ka rrugë ligjore e mekanizma ligjor të cilat edhe i kemi shfrytëzuar. Ngjashëm edhe i kemi mirëpritur e jemi të hapur për organet kompetente që kanë nevojë të vërtetojnë vërtetësinë e pronës private të bazuar në certifikata pronësore”, ka thënë Bogaj.

Tutje, ai ka shtuar se në vazhdimësi Peci është duke bërë deklarata të tilla ndaj tij.

“Pas shpifjeve të Faton Pecit dhe në mungesë të edukatës bazike për kërkim falje dhe vazhdimësisë së dëmit material dhe moral ndaj integritetit tonë, që ai na ka bërë duke na portretizuar si uzurpatorë, ndaj Faton Pecit kemi ushtruar padi për shpifje”.

“Faton Peci mund të ketë llogaritur se duke sulmuar pronën tonë private, do të ndërtojë karrierë të bujshme politike. Ajo çfarë ne kemi për t’i thënë Faton Pecit, është shumë e thjeshtë. Ai është i ‘fortë’ sepse është pushtet. Ne jemi “të dobët” përballë tij, sepse nuk kemi as pushtet, as forcë, as ide se si të mbrohemi ndaj një pushtetari, përveç ligjit. Por ne jemi në shtëpinë tonë dhe përmes ligjit do të mbrohemi, sepse besojmë se në Kosovë, nuk do të duhej të kishte pushtetarë që janë mbi ligjin”.

Exit mobile version