1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Buy now

spot_img

“Bllokoni xhirollogaritë e Dardafon-it” – Telekomi me kërkesë urgjente ndaj Prokurorisë

Telekomi i Kosovës, ka kërkuar nga Prokurori i Shtetit që të marrë masa urgjente ndaj kompanisë Dardafon, duke ua bllokuar xhirollogaritë dhe kthimin e 30 milionë eurove në këtë ndërmarrje publike, deri në vendimin përfundimtar të gjykatës.

Për më tepër Telekomi ka kërkuar nga Prokuroria të verifikoj nëse kjo shumë e mjeteve ekziston në llogarinë e kompanisë Dardafon.

“Po ashtu, Telekomi i Kosovës sh.a. ka kërkuar që nëse shuma e cekur nuk figuron në xhirollogarinë e Dardafon LLC, Prokurori i Shtetit të përdorë mekanizmat për të përcjellur lëvizjen e parasë nga xhirollogaria e Dardafon LLC dhe t’i gjurmojë dhe ngrijë llogaritë, kudo që kjo shumë është transferuar.

“Siç është njoftuar opinioni, tashmë, Gjykata e Apelit, bazuar në Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, e ka konfirmuar se Telekomi i Kosovës sh.a. ka qenë subjekt i një procedure gjyqësore të kundërligjshme dhe me shkelje serioze procedurale dhe materiale, e cila e ka favorizuar Dardafon LLC në dëm të Telekomit të Kosovës sh.a”.

“Përmes kësaj procedure, Telekomi i Kosovës sh.a. është dëmtuar shumë rëndë financiarisht, gjë që ka ndikuar edhe në operimet ditore të kompanisë. Gjithashtu ka ndikuar negativisht në vazhdimin e projekteve vitale, për arsye se i janë tërhequr/debituar mjetet financiare përmes veprimeve të parregullta dhe kundërligjore të përmbaruesit privat dhe gjykatave të të tri niveleve”, thuhet në komunikatën e Telekomit të Kosovës.

Kjo ndërmarrje publike thotë se kanë paguar miliona euro më shumë sesa që i ishte detyrar kompanisë Dardafon.  

“E shohim të rëndësishme të sqarojmë opinionin se pikërisht për shkak të kësaj përllogaritjeje arbitrare dhe të pasaktë të borxhit, nga ana e gjykatës, është kthyer në rigjykim e tërë kjo çështje”, thuhet në komunikatë.

Telekomi ka alarmuar se Dardafon mund të tjetërsojë këto mjete dhe në rast se gjykata vendos në favor të tyre mund të jetë e pamundshme të kthehen mjetet.

“Duke qenë se ekziston rreziku real që Dardafon LLC mund t’i tjetërsojë të gjitha këto mjete jashtë Republikës së Kosovës e që do të vështirësonte gjurmimin dhe kthimin e tyre në rast të një vendimi të drejtë të gjykatës, Telekomi i Kosovës sh.a. ka kërkuar asistencën e Prokurorit të Shtetit në ndërmarrjen e veprimeve urgjente, që mundësojnë sigurimin e mjeteve financiare deri në vendosjen përfundimtare të drejtë dhe të ligjshme nga gjykatat e Kosovës”, thuhet në reagim.

Kërkesa ndaj prokurorisë për këtë rast, sipas Telekomit është vetëm njëra nga masat që ka ndërmarrë për rikthimin e ligjshmërisë.

“Kjo kërkesë është vetëm njëra nga masat që Telekomi i Kosovës sh.a. i ka ndërmarrë, dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë edhe më tutje, në mbrojtjen e biznesit të kompanisë dhe në rikthimin e ligjshmërisë. Telekomi i Kosovës sh.a., synon të rikthehet fuqishëm në shërbim të konsumatorëve të vet dhe të qytetarëve të Kosovës, me një kulturë të re dhe me një përkushtim të lartë ndaj punës. Një sistem i drejtësisë efektiv, dinamik dhe i paanshëm është i domosdoshëm për të mbrojtur bizneset dhe qytetarët nga veprimet e paligjshme, ndërkaq Telekomi i Kosovës sh.a. do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore për të rikthyer mjetet që i janë marrë jashtëligjshëm nga arka e shtetit apo nga fondet e dedikuara për investime strategjike, duke i kthyer ato në infrastrukturë dhe shërbime më të mira për konsumatorët dhe qytetarët”, thuhet më tej në komunikatën e Telekomit.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img